Lidhje

Fushata, Kuvendi i socialistëve hapet me aleatët


Në krah të kryetarit Edi Rama drejtuesit e të gjithë forcave që janë në koalicion me socialistët. Meta “Ky bashkim nuk është një kalkulim numrash”

Në Tiranë, partia socialiste prezantoi sot koalicionin e saj në të cilin bëjnë pjesë një numër i madh partish. Drejtuesit e forcave kryesore aleate, të cilët u ngjitën në skenën e Konventës së socialistëve, i mëshuan faktit se në zgjedhjet e 23 qershorit e majta do të konkurrojë e bashkuar. Ndërsa sipas kryetarit Edi Rama, këto zgjedhje do të hapin një kapitull të ri për Shqipërinë.


Bashkimi i së majtës, lënia pas krahëve e ndarjeve dhe përcarjeve që i kanë sjellë mjaft dëme asaj, ishte fjala e përdorur më shpesh sot në Konventën e partisë socialiste, e cila praktikisht ishte një hapje zyrtare e fushatës. Elementët e dekorit zunë një vend të rëndësishëm në pjesën e paradites se Konventës e cila i ishte kushtuar aleatëve dhe prezantimit të koalicionit të majtë, më i madhi në garën për zgjedhjet e 23 qershorit.

Qëndrueshmërisë së kësaj aleance të gjerë ju mëshua që nga përshëndetja e zotit Dritero Agolli, një figure simbol të socialistëve, tek ajo e ish presidentit Rexhep Mejdani: “Thelbësore është që te ecet së bashku duke tërhequr e mbështetur njëri tjetrin, duke i minimizuar gabimet apo përplasjet e panevojshme. Ky duhet të jetë bashkimi, ftesa, betimi I kësaj konvente. Eshtë ai që bën fuqinë, është ai që përbën thelbin e fitores zgjedhore, është ai që duhet të jetë edhe zemra e fitores sonë të ardhshme”.

Për bashkimin foli edhe kryetari i Lëvizjes socialiste për integrim Ilir Meta, i rikthyeri i madh në gjirin e së majtës pas katër vitesh në krah të kryeministrit Sali Berisha: "Bashkimi ynë është reflektim i përgjegjshëm dhe në koherencë të plotë me interesin publik të shoqërisë sonë dhe të cdo qytetari shqiptar. Ky koalicion nuk është një kalkulim numrash, por është një detyrë dhe përmbushje e përgjegjësisë historike që buron nga dëshira dhe vullneti i shumicës dërrmuese të qytetarëve tanë, të cilët kërkojnë t’i japin fund tranzicionit por që dhe presin ndryshime thelbësore”.

E njejta ide përshkoi edhe fjalën e shkurtër të kryetarit socialist Edi Rama: “Sot në socialistët dhe prgresistët jemi të gjithë së bashku sepse sot ne, socialistët dhe progresistët jo vetëm jemi bashkë por kemi në të dy krahët miq partnerë dhe aleatë të fuqishëm që vijnë nga e gjithë shoqëria shqiptare në emër të ndryshimit”. Zoti Rama thirri në skenë të gjithë aleatët që përbëjnë atë që ai e quajti treni drejt së ardhmes: “Më 23 qershor zgjedhja është e qartë me trenin e qytetarëve drejt Europës ose me trenin e mallrave drejt humnerës”. Pasdite seanca tjetër e Konventës I kushtohet prezantimit të 140 kandidatëve socialist ndërsa nesër vëmendja do të përqëndrohet te programi I kësaj force politike.

Ndonëse zyrtarisht fushata duhet të niste një muaj para zgjedhjeve, të gjitha forcat politike e kanë shpërfillur këtë afat. Fushata ka nisur prej javësh. Demokratët e quajtën atë të hapur të dielën e kaluar me mitingun e organizuar në Tiranë. Ashtu si dhe socialistët ata kanë grumbulluar gjithashtu shumë aleatë rreth vetes, ndërsa të vetmit që do të konkurrojnë pa koalicion janë Fryma e re Demokratike ish presidentit Bamir Topi dhe Aleanca Kuqezi.
XS
SM
MD
LG