Lidhje

Pse nuk mund të ketë socializëm në Amerikë?


Ekspertët diskutojnë se pse Shtetet e Bashkuara janë vendi më i madh që nuk ka një parti të tretë

Ndërsa afrohet data e zgjedhjeve të përgjithshme në Shtetet e Bashkuara, mund të thuhet pothuajse me siguri të plotë se shumica e fituesve do të jenë anëtarë të dy partive kryesore politike - demokratëve dhe republikanëve. Pse janë Shtetet e Bashkuara e vetmja demokraci e madhe pa një parti të fuqishme të tretë, veçanërisht një parti socialiste apo parti e punëtorëve?

Shumë analistë thonë se Shtetet e Bashkuara janë një vend tipik mes shoqërive të industrializuara, përveç faktit që nuk kanë një parti të madhe socialiste në nivelin kombëtar.

“Amerika është shumë ndryshe nga demokraci të tjera perëndimore, thotë Gary Marks i Universitetit të Karolinës së Veriut, i cili e vë theksin tek ajo që studiuesit e quajnë shpesh një “kredo amerikane”, idealet e barazisë, përparimi i pozitës sociale, mbështetja tek vetëvetja dhe qeverisja e kufizuar, që amerikanët i kanë përqafuar që kur shpallën pavarësinë nga Britania në vitin 1776.

“Ndërsa ne shpesh ankohemi për përmasat e qeverisë dhe përpiqemi të minimizojmë ndikimin e saj, nëse e analizon me kujdes ky ndikim është më i pakëti në botën perëndimore, thotë zoti Marks. Në Shtetet e Bashkuara kemi një culture që e vë theksin tek individualizmi dhe rezistenca ndaj shtetit. Dhe roli i qeverisë në shoqëri është shumë më i vogël sesa në shoqëritë evropiane, për shembull”.

Me çdo valë të re emigrantësh, njerëz nga e gjithë bota kanë përqafuar vlerat e përbashkëta të Amerikës, të cilat siç mendojnë shumë studiues, nuk përputhen me socializmin tradicional.

Në prag të Luftës së Parë Botërore, kushtet e këqija të punës dhe jetesës në qytetet amerikane kontribuan për të krijuar kushtet për socializëm. Në vitin 1912, kandidati presidencial i Partisë Socialiste Eugene Debs fitoi 6 për qind të votes popullore. Po ashtu kishte qindra zyrtarë të zgjedhur socialistë në qytete në gjithë vendin. Por partia kishte problemet e veta.

“Socialistët, që ishin një parti e tretë e vogël, nuk kishin shumë për të ofruar, thotë eksperti i shkencave politike Gary Marks. Ajo që mund të ofronte kjo parti ishte pastërtia ideologjike. Ata mund të ofronin një shembull për një shoqëri të ndryshme. Por sindikatat ishin të interesuar tek ajo që po ndodhte në atë moment të caktuar”.

Ndryshe nga socialistët, që ishin utopistë dhe mosbesues ndaj partive të mëdha politike të vendit, sindikatat në përgjithësi bashkëpunonin me demokratët dhe republikanët për rroga më të larta dhe standarde më të larta jetese.

Sipas Benjamin Ginsbergut, drejtor i Qendrës për Studime të Qeverisë Amerikane në Universitetin Johns Hopkins, punëtorët ishin më të interesuar për çështjet ekonomike sesa për ato politike.

“Në Shtetet e Bashkuara, kur sindikalizmi u kthye në një forcë të konsiderueshme, e drejta e votes për burrat e bardhë kishte kohë që ishte kthyer në fakt. Nuk kishte nevojë për luftë për të drejta politike, thotë Ginsberg. Sindikatat kishin prirjen të bashkëpunonin me partite ekzistuese, Partinë Demokratike, atë Republikane dhe më pare partinë Whig. Kështuqë, lëvizja sindikaliste kishte një rrugë të hapur për luftë politike”.

Kriza ekonomike e viteve 1930 u dha shumë socialistëve shpresë se kishte ardhur koha për një parti punëtorësh në Shtetet e Bashkuara. Por eksperti Ginsberg thotë se ishte shumë vonë.

“Gjatë periudhës së Depresionit të Madh dhe rënies ekonomike, kishte më shumë mundësi për formimin e partive punëtore. Por me ardhjen në fuqi të Franklin Rooseveltit dhe koalicionit të tij për një të ardhme të re, sindikalizmi u bë një force aq e madhe brenda Partisë Demokrate, saqë shumë udhëheqës të tij nuk shihnin ndonjë avantazh që të krijonin dicka tjetër të re”, thotë zoti Ginsberg.

Kriza ekonomike e viteve 1930 u dha shumë socialistëve shpresë se kishte ardhur koha për një parti punëtorësh në Shtetet e Bashkuara. Por sipas ekspertëve, tashmë ishte tepër vonë. Me ardhjen në fuqi të Franklin Rooseveltit dhe koalicionit të tij për një të ardhme të re, sindikalizmi u bë një forcë aq e madhe brenda Partisë Demokrate, saqë shumë udhëheqës të tij nuk shihnin ndonjë avantazh që të krijonin diçka tjetër të re.

Sindikatat kanë qenë shumë aktive në nxitjen e pjesëmarrjes së votuesve në kontekstin e sistemit dypartiak. Dhe që nga Depresioni i Madh, sindikalizmi ka mbështetur përgjithësisht Partinë Demokrate, që ka përkrahur shumë faktorë të së majtës në spektrin politik të Shteteve të Bashkuara. Sipas zotit Benjamin Ginsberg, ekspert në Universitetin Johns Hopkins.

“Socialistët, nuk e kuptuan kurrë logjikën e sistemit politik amerikan”, thotë analisti Marks që thekson se ndryshme nga një system tradicional parlamentar që e vë theksin tek fitorja e kandidatëve në zgjedhje me shumicë votash, politika në Shtetet e Bashkuara karakterizohet nga një rival që thjesht duhet të fitojë më shumë vota sesa kundërshtari i tij.

“Në thelb, shpjegon eksperti, kjo do të thotë se parti të treta nuk kanë shans që të sigurojnë përfaqësim në nivelin kombëtar në Shtetet e Bashkuara. Prandaj është një logjikë ku të duhet të krijosh koalicionin më të gjerë të mundshëm. Dhe për ta realizuar këtë do të thotë se në rrethana normale, duhet lënë mënjanë ideologjia dhe duhet përqendruar vëmendja tek tërheqja e një grupi sa më të larmishëm që të jetë e mundur”.

Që nga koha e Luftës Civile, dy partitë e mëdha politike të Amerikës, demokratët dhe republikanët kanë arritur të sigurojnë mesatarisht 95 për qind të votes popullore në zgjedhjet parlamentare, një prirje që nuk pritet të ndryshojë.

Përsa kohë Shtetet e Bashkuara mbeten të vecanta përsa i takon sistemit të tyre politik, pothuajse të gjithë studiuesit janë në një zë se një Parti Socialiste do të ishte thjesht një shpresë për një numër të vogël njerëzish.
XS
SM
MD
LG