Lidhje

Tiranë: Studiuesit komentojnë për negociatat mbi reformën në drejtësi


Komunikimet mes partive politike për reformën në drejtësi kanë mbetur pezull në Tiranë dhe palët nuk po lëvizin nga qëndrimet e tyre mbi dy institucionet e reja, që parashikon ristrukturimi i sistemit gjyqësor.

Palët ende nuk kanë ndryshuar qëndrim dhe seanca e parlamentit mund të mos zhvillohet për t'u dhënë kohë komisioneve dhe partive që të shqyrtojnë materialet e fundit.

Opozita kërkon vendet e rezervuara në komisionet e kontrollit të gjyqtarëve, ndërsa kryeministri Rama tha se socialistët nuk kërkojnë asgjë, se partitë duhet të rrinë duarjashtë nga emërimet në drejtësi dhe se për këtë arsye kompromisi është i mundshëm.

Në Tiranë, edhe sot drejtuesit e forcave kryesore politike shprehën të njëjtat qëndrime mbi reformën në drejtësi, një ditë pasi komisioni i posaçëm parlamentar miratoi projektin në parim dhe nen për nen.

Kryeministri Rama ftoi opozitën për kompromis mbi reformën e dakordësuar nga dy palët, por zoti Basha tha se PD kërkon nga qeveria edhe pikën e fundit, që ka të bëjë me vendet e rezervuara në komisionet e kualifikimit të gjykatësve.

Nga ana tjetër, juristë dhe studiues të politikës kritikojnë partitë për mungesën e kulturës së negociatave. Ata pohojnë se me komunikimet konfliktuale mes tyre, partitë politike po e dëmtojnë më tej sistemin e drejtësisë.

Studiues të pavarur shprehen se partive shqiptare u mungon kultura e negociimit dhe ato mendojnë se institucionet mund të funksionojnë vetëm me një balancim politik, ndaj edhe konfliktohen vetëm për mënyrën e balancimit.

Ndërsa pedagogu i departamentit të shkencave politike, Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Shkencave Sociale, Blendi Ceka, thotë se partitë shqiptare trashëgojnë mendësinë e periudhës komuniste se partitë janë mbi institucionet dhe kjo po duket edhe në negociatat e fundit.

Sipas tij, ata i mendojnë ligjin dhe institucionet si rrjedhime të humoreve dhe interesave partiake.

Nga ana tjetër juristi i njohur konstitucionalist Sokol Hazizaj, thotë se kjo reformë në drejtësi nuk ka të bëjë me përmbajtjen por ndryshon formën e menaxhimit të institucioneve të drejtësisë.

Ai thotë se korrupsioni në drejtësi mund të goditet me hapa ligjore e proceduriale, ndërsa ndërfutja e partive në debate e shton edhe konfliktualitetin në radhët e drejtësisë.

Sa kohë që partitë debatojnë mbi drejtësinë, kjo e fundit humbet pavarësinë, thotë ai.

Përvoja ka treguar marrëveshjet mes partive në Shqipëri ose bëhen në kushte urgjence të jashtëzakonshme ose për nevoja pragmatike të tyre të çastit, tha profesor Ceka.

Në negociatat e fundit nuk është as njëra as tjetra.

Por kur ka bisedime të gjata dhe mirëkuptime të brishta, ndoshta zgjedhjet e parakohshme do të ishin zgjidhja më e mirë, thotë profesor Ceka.

Studiuesit pohojnë se debati për vetingun, ose për komisionin kualifikues të gjyqtarëve dhe prokurorëve, është hera e dytë që shpërthen në Shqipëri.

Hera e parë ishte në vitin 1998 kur gjyqtarët me shkollë 6-mujore hynë nëpër greva urie se nuk e donin këtë përzgjedhje dhe ata të gjithë u rifutën me një copë letër.

Juristë dhe studiues të jetës politike në Shqipëri thonë se reforma në drejtësi ka nevjë për ndryshimet e duhura ligjore, materiale dhe proceduriale për të përmirësuar në themel cilësinë e dhënies së drejtësisë.

Mjafton të zjidhet një model i vendeve të zhvilluara demokratike për t'u zbatuar në Shqipëri.

Për ta bërë këtë ndryshim themelor, pohojnë ata, nuk është nevoja që partitë t'i luten njëra tjetrës dhe ato duhet të kenë sa më pak ose aspak dorë në procesin e reformës.


Trego komentet

XS
SM
MD
LG