Lidhje

Përcillet me nderime deputeti i ndjerë Sokol Olldashi


Mijëra qytetarë dhe instituticionet më të larta shtetërore të vendit përcollën sot me nderime për në banesën e fundit, deputetin 40-vjeçar të PD së opozitës, Sokol Olldashi, i cili humbi jetën në një aksident automobilistik mbrëmjen e kaluar.

Parlamenti, qeveria, partitë politike dhe mijëra banorë të kryeqytetit u mblodhën për disa orë pranë sallës së seancave parlamentare për të nderuar me lule dhe ceremoniale zyrtare deputetin e 4 legjislaturave, ish-ministrin e brendshëm dhe të transporteve, një nga njerëzit më të njohur të politikës shqiptare në 10 vitet e fundit. Ata e quajtën zotin Olldashi një politikan të talentuar, një qeveritar i suksesshëm në vendosjen e shtetit ligjor dhe ndërtimin e infrastrukturës kombëtare.



Qeveria shqiptare shpalli sot ditë zie kombëtare në nderim të deputetit të ndjerë Sokol Olldashi, ndërsa kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoni dhe ngushëlloi familjarët e deputetit opozitar, duke shprehur vlerësime për angazhimin e tij politike. Politikanë të tjerë të njohur nga pozita dhe opozita vlerësuan veprimtarinë politike të zotit Olldashi, duke e quajtur humbje të madhe largimin e parakohshëm të tij nga jeta.

Raportet policore bënë me dije se deputeti i Partisë Demokratike Sokol Olldashi humbi jetën në një aksident rrugor mbrëmjen e kaluar në rrugën interurbane dytësore Tiranë - Elbasan, pranë fshatin Krrabë. Edhe pse automjeti që ai drejtonte ishte i ri dhe i fortë, nga hetimet doli se shkak për aksidentin ishte moti i keq, shirat e rrëmbyer, errësira e dendur, që ia vështirësuan atij drejtimin e automjetit, i cili doli nga rruga dhe u rrokullis disa metra. Në çastet e para të aksidentit, mbrëmë u fol se bashkë me zotin Olldashi ishte përfshirë dhe një person tjetër, por njoftimi i sotëm i policisë përmend si pasojë të aksidentit vetëm vdekjen e tij.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG