Lidhje

Të paktën 12 të vrarë në një hotel të Somalisë


Grupi militant somalez al-Shabab ka marrë përgjegjësinë për një sulm në një hotel të kryeqytetit Mogadishu, ku u vranë të paktën 12 njerëz, duke përfshirë edhe pronarin e hotelit, një komandant ushtarak, dy deputetë dhe një gazetar.

Ministri somalez i Sigurisë i tha Zërit të Amerikës se pesë deri në gjashtë persona të armatosur të grupit Al-Shabab me dy makina bombë kishin gisht në sulmin ndaj hotelit Sahafi në kryeqytetin somalez. Ai tha se të gjithë personat që sulmuan u vranë nga forcat e sigurisë.

Autoritetet thonë se sot herët në mëngjes militantët aktivizuan bombat në hyrje të ndërtesës, dhe më pas disa persona të armatosur hynë në hotelin i cili frekuentohet nga zyrtarë të qeverisë dhe drejtues të biznesit. Dëshmitarët dëgjuan të shtëna intensive brenda hotelit.

Zyrtari i policisë, Ismail Nur i tha agjencisë së lajmeve Reuters se "shumë zyrtarë të qeverisë u shpëtuan", përmes një shkalle në murin e pasmë të hotelit. Ai tha se policia ka marrë telefonata nga punonjës të hotelit që ishin fshehur në ndërtesë, të cilët thanë se në hotel kishte njerëz të plagosur dhe zyrtarë të qeverisë

Trupat e Bashkimit Afrikan dhe forcat somaleze të sigurisë arritën të rimerrnin nën kontroll hotelin.

XS
SM
MD
LG