Lidhje

Piratët somalezë, kërcënim për transportin detar ndërkombëtar

  • Mariama Diallo

Piratët somalezë, kërcënim për transportin detar ndërkombëtar

Piratët somalezë, kërcënim për transportin detar ndërkombëtar

Piratët në Somali vazhdojnë të mbeten një kërcënim serioz për transportin detar ndërkombëtar. Një raport i ri i Byrosë Ndërkombëtare të Lundrimit thotë se piratët në Somali kryen gati gjysmën e 300 incidenteve të piraterisë të raportuara këtë vit në mbarë botën. Vetëm këtë javë, në fakt, piratët somalezë shkëmbyen zjarr me Forcat Ndërkombëtare Detare dhe Forca e BE-së kundër piraterisë njoftoi se piratët sulmuan por nuk arritën të rrëmbenin një anije me flamur francez në brigjet e Tanzanisë. Bashkimi Evropian thotë se piratët po mbajnë 19 anije dhe më shumë se 400 pengje. Por siç njofton korrespondentja Mariama Diallo, ekspertët thonë se zgjidhja e problemit shtrihet përtej ballafaqimit thjesht me piratët.

Detarët në bordin e një destrojeri amerikan kryen një stërvitje reale – si pjesë e një force shumëkombëshe kundër piraterisë që patrullon ujrat në brigjet e Somalisë. Por megjithë përpjekje të tilla ndërkombëtare, sulmet nga piratët somalezë vazhdojnë. Ekspertët thonë se deri diku situata e piratërisë në brigjet e Somalisë është pjesë e një problemi më të madh.

Johnnie Carson, Ndihmës Sekretari i Shtetit për Marrëdhëniet Afrikane, thekson se shtimi i valës së piraterisë është një prej pasojave të asaj që po ndodh në Somali.
"Arsyeja përse ka pirateri është fakti se nuk ka pengesa për këta individë që kryejnë aktivitete kriminale. Ka një ekonomi të dobët dhe sturktura të dobëta qeverisëse. Forcat detare mund të bëjnë shumë por kjo nuk është zgjidhja më optimale".
Zoti Carson thotë se gjatë tre vjetëve të fundit, janë sulmuar 450 anije. Piratët kanë kapur gati 2 mijë e 400 pengje dhe kanë marrë afërsisht 100 milionë dollarë pagesa për lirimin e pengjeve. Shumë vende kanë dërguar forca detare për të patrolluar rajonin. Por me gati 30 mijë anije që kalojnë çdo vit në Gjirin e Adenit, kjo zonë është e vështirë të mbrohet.

Silvia Kofler, drejtuesja e Diplomacisë Publike me Delegacionin e Bashkimit Evropian në Uashington thotë se BE-ja ka qënë e angazhuar në rajon që nga vitin 2008 kur filloi operacionin e parë detar të koduar “Atlanta”.
"Në këtë moment kemi mbi 1 mijë e 800 pjesëmarrës – mbi 20 anije dhe avionë. Është një forcë e madhe".

Zonja Kofler thotë se detyra kryesore e forcës detare është të mbrojë anijet që transportojnë ndihma ushqimore për të zhvendosurit në Somali. Ata gjithashtu parandalojnë sulme të ndryshme të armatosura nga brigjet somaleze. Byroja Ndërkombëtare e Lundrimit thotë se prania detare ka ndihmuar në kontrollin e piraterisë por thekson se piratët e kanë zgjeruar zonën e sulmit të anijeve në veri të Oqeanit Indian dhe në jug të Detit të Kuq.
"Zona e veprimit është e gjerë. Ajo është e krahasueshme me Mesdheun. Këshilli evropian po shqyrton mundësinë e shtrirjes së operacioneve në jug dhe në lindje".
Zonja Kofler thotë se BE-ja po përpiqet të përqëndrohet në rindërtimin dhe ribashkimin në Somali pasi analizon se pa to, problemi i piraterisë nuk mund të zgjidhet. Ajo thotë se BE-ja ka tani 100 projekte që kapin shumën e 250 milionë dollarë investimeve.

XS
SM
MD
LG