Lidhje

New Horizons, pranë takimit me Plutonin


Sot mjeti fluturues amerikan New Horizons do të fillojë përgatitjet e fundit për takimin me planetin Pluton në skajet e largëta të sistemit tonë diellor. Sonda New Horizons, e hedhur në hapësirë në janar 2006, është në etapat e fundit të misionit të saj drejt planetit të ngrirë Pluton.

Kjo sondë që po lëviz tani në një largësi rreth 4.8 miliardë kilometra nga Toka, ka shpenzuar dy të tretat e udhëtimit në një gjendje gjysmë pasive për të mbrojtur nga konsumimi instrumentat që do të përdoren për të studiuar Plutonin gjatë fluturimit pranë planetit vitin e ardhshëm. Sot, në orët e vona të ditës, sonda do të aktivizohet plotësisht.

Alice Bowman është përgjegjëse e misionit operues për sondën New Horizons në Laboratorin e Fizikës së Aplikuar pranë Universitetit Johns Hopkins në Meriland. Ajo thotë se cikli i pasivitetit dhe më pas i zgjimit të sondës ka qenë procedura që është ndjekur për këtë mision të pazakontë.

“Kjo është hera e 18-të që e vëmë sondën në këtë gjendje pasive që nga lëshimi. E kam të qartë se asgjë nuk është krejt rutinë në projektet e eksplorimit të natyrës, por për ne, procesi i vënies së sondës në gjendje pasive dhe më pas i zgjimit të saj është pak a shumë një proces rutinë”.

Sonda New Horizons është aktualisht aq larg Tokës sa që duhen afro 4 orë e gjysmë për të dërguar një komandë dhe më pas duhet të pritet disa orë të tjera për të marrë konfirmim në Tokë se sonda e ka marrë komandën.

Për këtë arsye shkencëtarët nuk do ta dinë deri nga ora 21, sipas orës së Uashingtonit, nëse sonda është aktivizuar plotësisht.

Gjatë periudhave kur sonda ka qenë në gjendje pasive, ajo ka lëvizur pa shpenzuar energji, shpesh herë me shpejtësi deri në 22 kilometra në sekond, duke përdorur forcën e tërheqjes së planetit Jupiter.

Kompjuterat në bordin e sondës analizojnë mbarëvajtjen e saj dhe dërgojnë raporte javore të këtyre analizave. Tre instrumentë që ndodhen në bord kanë mbledhur gjatë gjithë kohës të dhëna, të cilat do të dërgohen në Tokë kur sonda të jetë në gjendje të plotë aktive. Në atë moment, sonda do të jetë vetëm 260 milionë kilometra nga planeti Pluto.

Temperatura në shkëmbinjtë e ngrirë mendohet të jetë -229 gradë celcius, gjë që nënkupton se nëse planeti ka atmosferë, ajo është e ngrirë.

Shkencëtarët, si zonja Bowman, mendojnë se Plutoni do të zhvendoset aq larg diellit, saqë atmosfera që mund të ketë do të shpërbëhet:

“Mendoj se të gjithë kanë filluar ta kuptojnë se Plutoni dhe objekte të ngjashme me të janë shumë më karakteristike të sistemit tonë diellor se sa planetet shkëmbore apo masat e gazit që i kemi studiuar më shumë”.

Sonda New Horizons pritet të takohet me Plutonin, i cili është 30 herë më larg nga Dielli se sa Toka, më 15 janar 2015. Fluturimi pranë Plutonit do të zgjasë 20 orë dhe do të fillojë më 14 korrik.

Shkencëtarët kanë në plan të përdorin fuqinë që i mbetet sondës New Horizon për ta drejtuar për eksplorime të reja drejt brezit Kuiper ((KYE-pur)), një mjedis i hapësirës së largët përtej planeteve të sistemit tonë diellor.

XS
SM
MD
LG