Lidhje

Tiranë, Sondazh i qytetarëve për politikën: "Këta deputetë nuk na përfaqësojnë".


Instituti për Demokraci e Ndërmjetësim dhe Instituti Demokratik Amerikan publikuan sot në Tiranë një studim mbi shkallën e angazhimit politik të qytetarëve në proceset demokratike të Shqipërisë.

Studimi zbuloi një zhgënjim në rritje të qytetarëve nga partitë politike si dhe një pakënaqësi të konsiderueshme ndaj parlamentit, qeverisë, dhe opozitës.

Ky studim mbi angazhimin politik i përgatitur nga Instituti për Demokraci e Ndërmjetësim dhe nga Instituti Kombëtar Demokratik Amerikan është i pari i këtij lloji, që mat gadishmërinë e qytetarëve për të marrë pjesë në zhvillimin e demokracisë.

Mbi 22 për qind e të anketuarve deklaruan prerë se nuk do të votonin në zgjedhje nëse ato mbahen tani, rreth 30 për qind janë të pavendosur, nëse do të votonin apo jo dhe afro gjysma e të amketuarve pohuan që janë gati marrin pjesë.

Studiuesit pohuan se një pjesë e madhe e atyre që kanë prirje të votojnë janë punonjës administrate, anëtarë partie dhe veprimtarë të shoqatave.

Mosbesues dhe të zhgënjyer nga politika tradicionale e partive, sondazhi zbuloi se qytetarët janë gati të shtojnë pjesëmarrjen e tyre në protesta dhe veprimtari të shoqërisë civile, apo në takimet e këshillit bashkiak për çështje të caktuara konkrete dhe jo për pikëpamje të përgjithshme.

Afro gjysma e tyre janë gati të përfshihen në veprimtari të nivelit vendor dhe vetëm 10 për qind e tyre janë gati të angazhohen në nivel kombëtar.

Sipas sondazhit, një ndër 2 të anketuar është i pakënaqur me punën e parlamentit dhe të qeverisë aktuale, ndërsa 2 nga 3 pjesëmarrës nuk janë të kënaqur me punën e opozitës aktuale.

Gjysma e të anketuarve pohuan se parlamenti nuk është transparent dhe nuk punon mbi baza etike qytetare.

Po ashtu 2 në 3 qytetarë nuk janë dakord se parlamenti përbëhet nga përfaqësues të respektuar.

Më shumë se 2 në 3 të anketuar, gati treçereku i tyre mendojnë se deputetët nuk i përfaqësojnë ata dhe familjet e tyre.

Shumica e të anketuarve dëshirojnë t'i përfaqësojë një deputet i përgjegjshëm dhe i ndershëm, deputet me arsim të mirë dhe që të kuptojë varfërinë dhe problemet e popullit.

Të anketuarit pohuan se nuk kanë ndërmarrë asnjë nismë me karakter social e politik, sepse; 40 për qind e tyre besojnë se asnjë njeri nuk i dëgjon, 40 për qind të tjerë pohuan se politikant mendojnë vetëm për veten e tyre dhe rreth 20 për qind pohuan se politikanët nuk mendojnë për njerëz të thjeshtë si ne.

Mbi 80 për qind e qytetarëve pohuan se ata janë gati të angazhohen në procese politike për interesa personale, familjare dhe komunitare.

Ndërsa 65 për qind pohuan se janë të gatshëm të angazhohen në çështjet që besojnë, por që nuk lidhet me ata personalisht.

Gjysma e tyre pohuan se situata mund të ndryshojë duke tërhequr vëmendjen e mediave dhe gjysma tjetër me votim në zgjedhje.

Një masë po aq e madhe qytetarësh thanë se gjendja mund të ndryshojë duke marrë pjesë në veprimtari për të ushtruar presion ndaj vendim-marrësve.

Por vetëm 20 për qind e tyre pohuan se do ti bashkoheshin një partie politike për të ndryshuar situatën aktuale.

Treçereku i të anketuarve pohuan se nuk janë anëtarë e as mbështetës të ndonjë partie politike dhe as të ndonjë shoqate.

Vetëm një në 5 pjesëmarrës mendon se mund të angazhohet politikisht pa qenë pjesë e një partie politike.

Pjesa tjetër mendojnë se e vetmja mënyrë të angazhohen në politikë është të bëhen anëtarë të partie politike.

Nga sondazhi doli se 2 në 3 të anketuar pohuan se vota e tyre nuk ka asnjë ndikim në vendim-marrjen kombëare.

Një në 2 pjesëmarrës pohojnë se nuk kanë asnjë ndikim në vendim-marrjen vendore, ndaj ata kërkojnë shtimin e takimeve të drejtpërdrejta me deputetët dhe bashkiakët, dhe detyrimin që ata tu përgjigjen me shkrim kërkesave të tyre jetike.

Sondazhi vlerësoi se njohuritë e qytetarëve për institucionet demokratike janë të pamjaftueshme.

Ata shprehën interesim më të lartë për qeverisjen vendore. 2 nga 3 të anketuar theksuan se nuk u intereson fare roli i deputetëve.

Vetëm një e treta e qytetarëve tha se ishte gati të përfshihej në vendimmarrjen në nivel kombëtar dhe një në 2 është gati të angazhohet në çështje të nivelit vendor.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG