Lidhje

Sondazh, kompanitë kanë vështirësi të gjejnë punonjës me kriteret e duhura


Sondazh, kompanitë kanë vështirësi të gjejnë punonjës me kriteret e duhura
Sondazh, kompanitë kanë vështirësi të gjejnë punonjës me kriteret e duhura

Më shumë se gjysma e punëdhënësve amerikanë thonë se e kanë të vështirë të gjejnë njerëz për pozitat e tyre kyçe. Disa vende të botës po përballen me të njëjtin problem, sipas një sondazhi global të agjencisë ndërkombëtare të punësimit ManpowerGroup. Por pse kompanitë nuk arrijnë të gjejnë njerëzit e përshtatshëm, në një kohë kur ka kaq shumë njerëz të papunë?

Gjetja e një pune është kthyer në një rutinë të përditshme për Deborah Pryor. Ajo nuk ka patur një punë të qëndrueshme me orar të plotë, qysh nga viti 2008.

“Është diçka kaq irrituese saqë ka raste që më bëjnë të qaj.”

Gjatë tre viteve të fundit, zonja Pryor shkoi sërish në universitet dhe përfundoi studimet. Ajo gjithashtu ka krijuar kompaninë e saj për marrëdhëniet me publikun. Por ajo është në kërkim të një pune më të qëndrueshme. Pas një kohe të gjatë të shpenzuar duke aplikuar për punë me anë të internetit, për të nuk ka ende rezultate.

“Të dërgojnë një përgjigje që kompjuteri e nis automatikisht, e cila thotë se punëdhënësi e ka marrë kërkesën tuaj dhe më pas nuk të kontaktojnë më, sikur kurrikulumi i dërguar të ketë përfunduar në një vorbull të zbrazët.”

Jeff Joerres, President dhe Drejtor Ekzekutiv i agjencisë së punësimit ManpowerGroup, thotë se kompanitë janë tani duke kërkuar për njerëz me aftësi shumë specifike dhe tejet teknike.

“Shumë prej njerëzve që janë të papunë, në shumë raste kanë rreth dy vjet - apo më tepër se dy vjet - që ndodhen jashtë bizneseve, dhe gjatë kësaj kohe kompanitë kanë pësuar mjaft ndryshime.”

Disa nga ndryshimet janë përmirësime të teknologjisë, ndryshime të kritereve të nevojshme për punën dhe aftësi të reja për pozita të caktuara. Kjo është arsyeja pse edhe në një kohë me papunësi të lartë në shumë vende, kompanitë kanë vështirësi në gjetjen e punonjësve. Drejtoresha e degës së Los Anxhelesit e agjencisë ManpowerGroup, Janelle Etchepare thotë se pjesmarrja në programet përgatitore do të ndihmonte shumë në aplikimet për punë.

“Personat që kanë vazhduar shkollimin e tyre dhe që kanë praktikuar teknologjitë e reja janë më të përshtatshmit për punësim.”

Por shumica e të papunëve nuk po ndjekin ritmet e ndryshimeve të teknologjisë dhe të industrive. Sipas sondazhit të këtij viti të agjencisë ManpowerGroup i zhvilluar në 39 vende, 34 përqind e punëdhënësve thonë se e kanë të vështirë të gjejnë punonjës me kriteret e duhura.

Ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara përballen me këtë problem 52 përqind e kompanive, vendet më në vështirësi janë Japonia, India dhe Brazili.

Vendet e punës më të vështira për t’u plotësuar janë teknikët, si dhe agjentët e shitjeve dhe të tregëtisë, të cilat kërkojnë njohuri të larta teknike.

Jatan Shah punon për kompaninë QSC Audio dhe ai thotë që kompania e tij po zgjerohe dhe po punëson njerëz. Megjithatë, ai thotë se shpesh është e vështirë të gjehen inxhinierë dhe teknikë të tjerë.

“Ka vende pune që kërkojnë nga tre muaj deri në një vit për t’u plotësuar. Është diçka krejt e pakëndëshme pasi edhe pse njerëz nga vende të ndryshme dërgojnë kërkesat e tyre për punë, kompanisë i duhet të gjejë personin e përshtatshëm për vendin e lirë.”

Presidenti i gjencisë Manpower thotë se kur kompanitë nuk arrijnë të gjejnë personat e përshtatshëm për to, vendet mbeten zakonisht bosh, dhe kjo mund të ketë pasoja mbi të ardhurat e punëdhënësve. Në Shtetet e Bashkuara, thotë ai, kompanitë po bëjnë diçka jo fort të zakontë.

“Ka kompani që janë të gatshme të zhvendosin qendrat e tyre atje ku ka punonjës me kriteret e duhura, që është diçka e pazakontë.”

Ai thotë gjithashtu se disa kompani po punësojnë njerëz që mësojnë me shpejtësi dhe u ofrojnë atyre programe përgatitore.

XS
SM
MD
LG