Lidhje

Kthimi i pronave në Shqipëri: teknologjia ndihmon zgjidhjen


Deri tani institucionet kanë punuar secili me harta të ndryshme dhe harta digjitale do të shmangë konfliktet dhe mbivendosjet e pronave.

Digjitalizimi i hartave dhe dokumentave pronësorë po zgjidh më në fund problemet e pronave të mbartura në 23 vite në Shqipëri. Ekspertët besojnë që sfida kryesore është unifikimi i të dhënave mbi pronat, në mënyrë që gjithë institucionet të punojnë me të njëjtat dokumenta. Brenda këtij viti u futën në një rrjet digjital 35 zyra vendore të regjistrimit të pronave, të cilat skanuan dokumentat dhe i ofrojnë atë në kohë reale. Kryeregjistruesi i pronave Ilirian Muho thotë se deri tani institucionet kanë punuar me harta të ndryshme dhe harta digjitale do të shmangë konfliktet dhe mbivendosjet e pronave.

Qeveria ka premtuar t'i japë fund zvarritjeve me kthimin e pronave dhe konfliket që shumë shpesh bëhen gjyqe ndërkombëtare. Agjencia e kthimit dhe kompensimit të pronave, sipas drejtoreshës Sonila Qato, po mbyll përfundimisht vonesat me kthimin e pronave fizike dhe kompensimin për një pjesë tjetër. Bashkë me regjistrin digjital të pronave u hartua dhe lista e pronarëve pretendues dhe një hartë tjetër me vlerën e tokës.

Agjencia e legalizimit dhe urbanizimit të zonave informale ndesh vështirësi të tjera me përplasjen e disa pretenduesve të pronave. Gjatë dekadës së fundit, ndërtimet e paligjshme në zonat me pronarë as nuk legalizoheshin dhe as i merrte pronari. Ndërsa tani, thotë drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame, është gjetur një zgjidhje me mirëkuptim midis palëve në disa dhjetëra raste të suksesshme.

Moskthimi i pronave dhe grabitja e tyre nga spekullantët është një nga shkeljet më të rënda të të drejtave njerëzore gjatë tranzicionit në Shqipëri. Pronat që duhej të ishin njohur dhe kthyer qysh në ditët e para të demokracisë, aktualisht po prodhojnë mijëra procese gjyqësore të dështuara në Shqipëri dhe qindra procese të tjera gjyqësore në Strasburg, ku pronarët fitojnë të drejtën e tyre. Labirinti ku janë futur këto çështje po sjell prej dy dekadash konflikte të dhunshme dhe kosto të rëndë për qytetarët, shoqërinë dhe shtetin shqiptar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG