Lidhje

Tiranë: Rindizen debatet për pronat


Përgatitja e një projekt-ligji të ri për kthimin dhe kompensimin e pronave rindezi edhe një herë tjetër debatet në Tiranë mes zyrtarëve dhe mijëra pronarëve që presin prej vitesh të marrin pronat dhe paratë e kompensimeve të tyre.

Qeveria dhe pronarët japin komente krejt të kundërta mbi këtë temë delikate, e cila ka munduar shoqërinë shqiptare gjatë gjithë tranzicionin.

Njëra palë premton zgjidhje realiste të çështjes që zvarritet prej dy dekadash, ndërsa pala tjetër thotë se qeveria po shkel të drejtat njerëzore mbi pronën.

Pothuaj të gjithë pronarët që shkojnë në Gjykatën e Strasburgut, pohojnë ata, i fitojnë gjyqet e pronësisë ndaj shtetit shqiptar.

Tiranë: Debati mbi pronat dhe kompensimet
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:01 0:00

Projekt-ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave, i cili po debatohet në komisionet, synon sipas përfaqësuesve të qeverisë që të vendosë mbi baza realiste dhe ta mbyllë këtë problem të pazgjidhur 25 vjeçar.

Sonila Qato, drejtore e Agjencisë Kombëtare për kthimin dhe kompensimin e pronave, thotë se projekt-ligji është pjesë e detyrave që Gjykata e Strasburgut i ka ngarkuar Shqipërisë pas cështjes Puto kundër shtetit.

Zonja Qato thotë se ligje dhe vendime të qeverive të mëparshme nuk e kanë futur problemin në rrugën e zgjidhjes, por kanë rritur në maksimum pritshmërinë e pronarëve për fitimet e tyre.

Por përfaqëues të pronarëve janë të shqetësuar se projekt-kigji i ri ul nga 100 deri në 170 herë çmimet për pronat e njohura në 26 mijë raste me ligjin e mëparshëm, po ashtu edhe për 11 mijë dosje pronash, që nuk janë shqyrtuar ende.

Myrshit Vorpsi, anëtar i kryesisë së shoqatës Pronësi me Drejtësi, thotë se projekt-ligji i ri nuk njeh kthimet fizike të pronave, por vetëm kompensime me çmime shumë herë më të lira, duke i kthyer pronat truall në toka bujqësore.

Projekt-ligji i ri synon ta zgjidhë krejt problemin e pronave të shtetëzuara pas luftës së dytë botërore brenda 10 vjetësh me rivlerësimin e cilësive të pronave sipas hartave përkatëse.

Zonja Qato thotë se projekt-ligji i ri nuk cënon sigurinë juridike të pronarëve mbi pronën, por sjell një formulë dhe një metodë të re në vlerësimin e tyre.

Sipas saj, qeveria po përpiqet ta tejkalojë këtë labirint të ngatërruar keqas nga kabinetet e mëparshme, duke rishikuar dokumentacionin dhe çmimet e pronave shpesh të mbivendosura në harta trojesh apo tokash bujqësore.

Nga ana tjetër, zoti Vorpsi thotë se pothuaj të gjithë pronarët shqiptarë që kanë paditur shtetin shqiptar në gjykatën e Strasburgut për pronat, i kanë fituar gjyqet dhe gjykata e ka urdhëruar qeverinë të dëmshpërblejë ata në miliona euro.

Sipas tij, derisa shteti shqiptar humbet në të gjitha gjyqet tregon se qëndrimi i tij nuk është i drejtë ndaj pronarëve.

Nga ana tjetër, fatura e gjyqeve të humbura po bëhet e papërballueshme dhe qeveria në vend që të përshpejtojë kthimet dhe kompensimet e pronave, propozon një formulë të re për t'u ulur në minimum vlerën e tyre.

Përmirësimin e ligjeve mbi të drejtën e pronës dhe zbatimin e standarteve ndërkombëtare e ka kërkuar këto ditë edhe Avokati i Popullit. i cili drejtoi qeverisë dhe parlamentit 21 rekomandime.

Sipas raportit të Avokatit të Popullit, në projekt-ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronës duhen hequr afati i kërkimit të pronës dhe të gjitha nenet që pengojnë zbatimin e akteve ndërkombëtare dhe jurisprudencës së Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Kjo gjykatë i kërkoi Shqipërisë hartimi e një liste të vendimeve përfundimtare gjyqësore dhe administrative që njohin, kthejnë dhe kompesojnë të drejtën e pronës ish-pronarëve.

Lista, sipas Strasburgut, duhet të përmbajë të dhëna në lidhje me statusin e pronës, vend-ndodhjen, sipërfaqet që kthehen, kompesohen dhe format e kompesimit; miratimin e hartës së vlerës së pronës me vlera sa më të arsyeshme dhe reale; faturën financiare të procesit të kthimit dhe kompesimit të pronave; krijimin e një mekanizimi efikas për ekzekutimin e të gjitha vendimeve përfundimtare, administrative dhe gjyqësore që njohin, kthejnë dhe kompesojnë pronën ish-pronarëve.

Avokati i Popullit kërkoi marrjen e masave të menjëhershme për shqyrtimin në një afat sa më të shpejtë të kërkesave të administruara për njohjen me të drejtë kthimi apo kompensimi të pasurive të paluajtshme.

XS
SM
MD
LG