Lidhje

Nju Jorku përuron muzeumin e 11 shtatorit


Presidenti Barack Obama përuroi sot në Nju Jork Muzeun Kombëtar të 11 shtatorit, që përkujton tmerrin e sulmeve terroriste të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara. Muzeu ndodhet në vendin ku dikur ngriheshin kullat binjake që u shkatërruan kur terroristët e al-Kaidës goditën katet e sipërme të ndërtesave me avionë të rrëmbyer.

Në një ceremoni solemne, Presidenti Obama foli përpara qindra të ftuarve, mes të cilëve kishte shumë prej atyre që humbën të afërmit në atë ditë tragjike të vitit 2011.

"Të gjithë ata që vijnë këtu do të gjejnë një përvojë të thellë dhe frymëzuese. Dua t'u shpreh mirënjohje të thellë të gjithë atyre që morën pjesë në ndërtimin e kësaj vepre të madhe, duke na dhuruar një vend të shenjtë shërimi dhe shprese," tha Presidenti Obama.

Muzeu bashkë me sheshin përkujtimor kanë kushtuar 700 milion dollarë dhe puna për ndërtimin e tyre zgjati shumë vite. Procesi i ndërtimit është karakterizuar shpesh nga probleme që lidheshin me kontruksionin dhe vonesat ndërkohë që ende vazhdojnë debatet nëse eshtrat e personave të paidentifikuar duhet të varrosen në thellësi të ndërtesës apo mbi tokë.

Ish kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Michael Bloomberg, shpjegoi se përse duhej ngritur ky muzeum:

"Ky muze është vendi ku njerëzit vijnë për të kuptuar 11 shtatorin përmes jetës së atyre që u vranë dhe të atyre që nxituan t'i shpëtojnë. Ai do të bëjë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë se çfarë ndodhi atë ditë dhe përse ndodhi", tha zoti Bloomberg.

Muzeu është thuajse i tëri nën tokë dhe shtrihet deri te themelet ku kapeshin shtyllat e çelikut që mbanin kullat.

Në muze janë paraqitur pjesë të mëdha çeliku të mbetura pas shkatërrimit të kullave dhe objekte të tjera përkujtimore. Janë paraqitur gjithashtu fotografi të viktimave, letra të shkruara me dorë nga ata që ndodheshin brenda kullave dhe kujtimet me zë të njerëzve që tregojnë se ku ndodheshin kur dëgjuan për sulmet dhe kur panë skenat dramatike në ekranet e televizorëve.

Kjo nuk është një varrezë, thotë Charles Wolf, gruaja e të cilit humbi jetën në kullat binjake:

"Nuk është një varrezë, por një vend ku ekspertët do të vazhdojnë punën për të identifikuar eshtrat, që njerëz si unë të mund të vijnë, të luten dhe të reflektojnë," thotë zoti Wolf.

Nga sulmet terroriste të vitit 2001 mbetën të vrarë rreth 3 mijë njerëz, një pjesë e të cilëve në Pentagon pranë Uashingtonit dhe në Shanksville të Pensilvanisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG