Lidhje

Kryeministri ukrainas ofron lëshime ndaj elementëve pro rusë


Kryeministri në detyrë i Ukrainës u ofroi lëshime udhëheqësve rajonalë dhe demonstruesve pro rusë, pas përfundimit të afatit që separatistët të dorëzonin ndërtesat e pushtuara prej tyre në disa qytete në pjesën lindore të vendit. Zoti Arsenyi Yatsenyuk dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë shkuan sot në qytetin Donetsk, ku u takuan me figura politike si dhe me njeriun më të pasur të Ukrainës Rinat Ahmetov. Zoti Yatsenyuk tha se e mbështeste ndryshimin e kushtetutës në mënyrë të tillë që guvernatorët rajonalë të mos emërohen më nga qeveria qëndrore si dhe që të lejohen referendumet rajonale. Nuk është e qartë nëse këto premtime do t'i kënaqin militantët e armatosur, të cilët vazhdojnë të mbajnë të pushtuara ndërtesat qeveritare në disa qytete.

Sot përfundon afati që separatistët pro rusë, të cilët kanë pushtuar ndërtesat qeveritare në Ukrainën lindore të dorëzojnë armët.

Përleshjet mes protestuesve pro rusë dhe atyre kundër në Odesa lanë disa të lënduar pasi aktivistët që mbështesin Bashkimin Evropian u përpoqën të pengonin kandidatin presidencial Oleg Tsarev të Partisë së Rajoneve që të largohej nga hoteli ku ndodhej.

Gjatë përleshjeve të së enjtes, një prej protestuesve u pa të qëllonte me armë zjarri, ndërkohë që të tjerët qëlluan me gurë policinë e cila po përpiqej të vinte situatën nën kontroll.

Oleg Tsarev, i cili i përket së njëjtës parti si edhe presidenti mik i Kremlinit Viktor Yanukovych, u largua më pas nga hoteli me një eskortë të forcave speciale.
Po dje, demostruesit pro rusë mbajtën një protestë në Odesa me thirrjet për referendum për federalizimin e Ukrainës.

Ndërkohë, sot në qytetin lindor Luhansk protestuesit pro rusë vazhduan të mbajnë nën kontroll zyrat qendrore të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, ndërkohë që përballja me qeverinë e Kievit hyn në ditën e gjashtë.

Një protestuese, tha se nëse qeveria ndërhyn për të rimarrë ndërtesat, më shumë protestues do t’u bashkohen barrikadave:

“Fëmijët tanë punojnë në miniera, por kur të fillojë, të gjithë ata do të vijnë këtu. Do të qendrojmë këtu edhe nësa na vrasin,”
- thotë protestuesja.

Qindra pro rusë, shumë prej të cilëve të armatosur, ende mbajnë të pushtuara ndërtesat qeveritare në Donetsk dhe Luhansk ndërkohë që autoritetet kërkojnë një zgjidhje paqësore.
XS
SM
MD
LG