Lidhje

Reagime për fjalimin për gjendjen e vendit


Bota e politikës, nga kandidatët presidencialë, tek anëtarët e Kongresit, reaguan ndaj fjalimit të fundit për gjendjen e vendit të Presidentit Obama të martën mbrëma. Të ndjekim disa prej tyre.

Ishte një natë kontrastesh mbrëmë pas fjalimit të presidentit Obama. Demokratët dhe republikanët e shohin ndryshe trashëgiminë e tij.

Presidenti i bëri thirrje amerikanëve të shohin drejt së ardhmes dhe demokratët i vlerësuan lart përpjekjet e tij gjatë shtatë viteve të fundit:

Për Eliott Engel, ligjvënës demokrat i Nju Jorkut, fjalimi ishte prekës.

“Ai i hodhi një vështrim përvojës së tij në 7 vitet e fundit, me këshilla nga perspektiva e tij në mënyrë të çiltër. Mendoj se nga të gjitha fjalimet për gjendjen e vendit, ky ishte i vetmi që ai e ka shkruar të gjithë vetë”

“Unë mendoj se Presidenti dha një mesazh të fortë për rolin amerikan në botë, ne duhet të angazhohemi, për ta treguar këtë rol udhëheqës. … Dhe Presidenti i bëri të qarta parimet që ne mbrojmë”, tha Senatori demokrat i Merilendit Ben Cardin.

Republikanët e kritikuan fjalimin për mungesë detajesh…

“Do të doja të kisha dëgjuar se si të balancohet buxhetit, si ta mundim ISIS-in dhe si ta çojmë përpara ekonominë”, tha ligjvënënësi republikan i Oklahomës Tom Cole.

“Mendoj se fjalimi nuk ia arriti qëllimit. Presidenti flet mirë, por përse nuk i ve në jetë ato që thotë?”, tha ligjvënësi republikan i Pensilvanisë Tom Merino

Por në mendjet e të gjithëve mbrëmë ishin zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, madje edhe për vetë zotin Obama.

“Do të përpiqem të flas shkurt. E di që disa prej jush janë të paduruar për të shkuar në Iowa", tha ai duke iu referuar shtetit ku mbahen garat e para presidenciale brenda partive.

Kandidatët republikanë reaguan, edhe para fjalimit.

“Fjalimi për gjendjen e vendit sonte nuk do të jetë thirrje për veprim-kjo do të ishte një dëshirë-fantazi e Presidentit, i cili na ka lënë në baltë”, tha Chris Christie, kandidat republikan për president.

Duke komentuar në Twitter menjëherë pas fjalimit, Jeb Bush tha se me modelin e tij ekonomik, trajtimin e ekonomisë dhe strategjinë për të mundur ISIS-in, presidenti jeton në një botë të ndryshme.

Në qendër të mbrëmjes ishte trashëgimia e Presidentit Obama dhe sigurisht që ajo do të jetë një çështje për t’u debatuar gjatë fushatës presidenciale në muajt e ardhshëm.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG