Lidhje

Afrika e Jugut: Masa kundër gjuetisë së kafshëve të egra


Afrika e Jugut njihet për botën e mahnitshme shtazore. Atje jetojnë një numër shumë i madh gjitarësh. Por disa prej tyre, si elefantët dhe luanët, përballen me një kërcënim të madh nga gjuetarët pa leje. Pjesë të kafshëve shiten për fitime të mëdha në tregun e zi, sidomos në Afrikë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Chris Simkins njofton lidhur me një park privat të Afrikës së Jugut, ku mbrojtja e botës shtazore nga gjuetia është përparësi.

Në këtë park privat të Afrikës së Jugut jetojnë qindra gjitarë. Kjo zonë, pjesë e parkut kombëtar Kruger, njihet për gjuetinë e paligjshme të elefantëve për fildishin e tyre dhe luanëve për kockat. Gjuetarët po ashtu venë në shënjestër rinocerontët për brirët e tyre.

Rojtari i parkut C.J. Lombard ka parë me sytë e tij ndikimin tragjik të gjuetisë së rinocerontëve.

“Kam parë femrën të copëtuar dhe këlyshin pranë nënës së ngordhur. Të mendosh që ai ka qëndruar pranë nënës së tij të vrarë për javë të tëra, duke mos pranuar ta lerë atë dhe duke vdekur nga uria. Ky fakt të zemëron.”

Qeveria jugafrikane thotë se gjatë vitit 2013, gjuetarët vranë më tepër se një mijë rinocerontë, numri më i madh i regjistruar ndonjëherë. Vetëm gjatë janarit janë vrarë mbi 37 rinocerontë.

Në vendet aziatike brirët e rinocerontëve, që mendohet se kanë vlera në mjekësi, mund të shiten deri në 60 mijë dollarë për kilogram.

Rojtari Lombard dhe ndihmësi i tij Patrick Moyane janë edhe guidë për turistët në park. Ata gjithashtu janë angazhuar për të ndaluar gjuetinë pa leje brenda zonës prej 11 mijë hektarësh të parkut privat.

"Duke qenë pjesë e ekipit të parkut, në se mund t’i gjejmë gjuetarët pa leje, do t’i kapim dhe do t’i fusim në burg.”

Në këtë park janë shtuar masat e sigurisë, për të mos lejuar gjuetinë e kafshëve.

"C.J. and Patrick janë duke shkuar pas gjurmëve të rinocerontëve në rezervatin Thornybush në Afrikën e Jugut. Një nga nismat që po merret në park për ndalimin e gjuetisë së rinocerontëve është injektimi i helmit tek brirët e tyre, për t’i bërë ato të papërshtatshme për konsumin nga njerëzit.”

Një tjetër masë për mbrojtjen e rinocerontëve nga zhdukja përfshin rritjen e tyre në ferma për t’u marrë brirët, të cilët rritem si flokët dhe thonjtë.

Zoti Lombard thotë se ai mbështet propozimin e qeverisë jugafrikane për të shitur disa nga rezervat e brirëve të rinocerontëve për të financuar kështu mbrojtjen e tyre, duke e mbytur tregun e zi me këtë mall të rallë.

"Kjo ndoshta do të fuksionojë dhe ndoshta jo. Mendoj se ja vlen të provojmë, për sa kohë që kjo nuk shfrrytëzohet nga njerëzit e pasur për t’u pasuruar më tej në kurriz të kafshëve të egra.”


Disa thonë se ligjërimi i shitjes së brirëve të rinocerontëve do ta shtojë kërkesën për to.

Shefi i rojeve të parkut Juan Pinto thotë se nevojiten më tepër fushata për ndërgjegjësimin e publikut, për të ndaluar gjuetinë e kafshëve të egra.

"Çështja më e vështirë është të ndryshohet mendësia se brirët e rinocerontit janë të dobishëm. Kur mendësia është më e forte se fakti, është shumë vështirë ta ndryshosh atë.”

Lombard-i dhe Moyane e ruajnë me kujdes parkun nga gjuetia gjatë aktiviteve turistike. Ata thonë se derisa masat kundër gjuetisë së kafshëve të egra të jenë të suksesshme, ata do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me ekipet e sigurisë në park, për t’i mbrojtur kafshët.
XS
SM
MD
LG