Lidhje

Johanesburg, vizitorët i bëjnë homazhe Nelson Mandelës

  • Henry Rdigewell

Njerëz nga mbarë Afrika e Jugut dhe më tej po bëjnë udhëtime të gjata për të nderuar ish udhëheqësin Nelson Mandela, i cili vdiq javën e kaluar. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, shtëpia e ish presidentit dhe udhëheqësit të luftës kundër aparteidit, në Johannesburg është bërë një vend pelegrinazhi.

Ata vijnë për të mbajtur zi për të hedhur lule dhe për të ndezur qirinj, por edhe për të kënduar, vallëzuar dhe festuar jetën e njeriut që transformoi vendin e tyre.

Sibongi Lenobo ka udhëtuar me autobus nga provinca KuaZulu - Natal në bregun jugor.

"Kam ardhur të shoh shtëpinë e Mandelës. Jam i kënaqur me punën e tij".

Tlha Tlogo dhe tre motrat e saj kanë bërë rrugë të gjatë nëpër Afrikën e Jugut për të arritur në shtëpinë e Mandelës.

"Kemi ardhur nga Pampierstadi , një qytet i vogël në Kepin e Veriut që ndodhet rreth gjashtë orë nga këtu. Kemi ardhur këtu vetëm për të treguar respektin tonë për Tata (Mandelën). Ai është babai ynë, gjyshi i ynë, ai është presidenti ynë i parë zezak. Dhe ky është një moment historik".

Atmosfera këtu ndryshon nga një moment trishtimi për një humbje të madhe për vendin në momente festimi të një jete që dha aq shumë për botën.

Shumë njerëz vazhdojnë të vërshojnë drejt shtëpisë së ish presidentit Mandela. Ne mesin e tyre është edhe nipi i tij Mandla Mandela, i cili dje udhëhoqi një ecje rreth lagjes ku ndodhet shtëpia e Mandelës.

Ndërkohë që intensifikohen festimet e jetës së tij, në qytetin Sandton, Sheshi Nelson Mandela është bërë një vend i qetë pelegrinazhi.

Vizitorët shkruajnë homazhe për njeriun që shumica në Afrikën e Jugut e cilësojnë si një anëtar të familjes së tyre.

Zanele Mbokazi dhe djali i saj kanë bërë një udhëtim të gjatë prej rreth 600 kilometrash me taksi nga qyteti Durban.

"Doja të vija këtu për t’i bërë homazhe Mandelës dhe punës që ai ka bërë për ne. Ne jemi një vend i lirë sot. Ne e dinim se ai ishte i moshuar , por ndarja e tij nga jeta i ka prekur të gjithë".

Richard Hallward ishte për vizitë në Afrikën e Jugut nga shtëpia e tij në Poloni, kur mori lajmin për vdekjen e Nelson Mandelës.

"Dëgjova lajmin dhe gjëja e parë që bëra ishte ardhja ime këtu në sheshin Mandela. Ai është i rëndësishëm, jo vetëm për Afrikën e Jugut, por për mbarë botën".

Në mbarë Afrikën e Jugut, në vendet e rëndësishme të jetës së tij të jashtëzakonshme, homazhet për të vazhdojnë të grumbullohen ndërkohë që bota i jep lamtumirën Nelson Mandelës.
XS
SM
MD
LG