Lidhje

Zgjedhjet paraprake në Karolinën e Jugut


Kandidatët republikanë në garën presidenciale në Shtetet e Bashkuara përballen të shtunën në një garë të rëndësishme në Karolinën e Jugut, ndërsa kandidatët demokratë, rivalët Hillary Clinton dhe Bernie Sanders do të ndeshen më vonë në Nevada. Sipas anketave, republikani Trump udhëheq me shumicë dërrmuese garën e partisë së tij, ndërsa demokratët Clinton dhe Sanders janë në një garë të ngushtë në Nevada:

Në Karolinën e Jugut, anketat tregojnë se republikani Donald Trump udhëheq ndjeshëm garën republikane:

“Do ta bëjmë vetë dhe siç duhet. Kemi për të fituar, nuk do durojmë më nga këto gjëra. Do ta bëjmë Amerikën përsëri të begatë”, u shpreh ai në një takim me votuesit.

Gara republikane në Karolinën e Jugut është acaruar së tepërmi, përfshirë përplasjet në debatin e kohëve të fundit mes kandidatëve Donald Trump dhe Jeb Bush. Trump e lidh rivalin Bush me luftën e Irakut, kur i vëllai ishte president.

“Ata gënjyen. Thanë se në Irak kishte armë të shkatërrimit në masë, kur në fakt nuk pati.”

“Jam lodhur me këto përpjekje për t’u marrë me familjen time. Për mua, babai im është njeriu më i shkëlqyer", reagoi zoti Bush.

Jebb Bush shpreson ta ngushtojë hendekun me rivalin Trump me ndihmën e të vëllait, ish-presidentit George W. Bush.

"E kuptoj që amerikanët janë të irrituar. Por ne nuk na duhet në Zyrën Ovale një njeri që pasqyron dhe nxit zemërim dhe irritim”.

Trump ka kërcënuar se do ta padisë rivalin Ted Cruz lidhur me një reklamë televizive, ndërsa Cruz thotë se deklaratat e Trumpit në të shkuarën meritojnë kritika.

“Shumë banorë të Karolinës së Jugut shqetësohen se Trump nuk ka përgatitjen për të qenë komandant i përgjithshëm.”

Cruz po lufton me senatorin Marco Rubio për vendin e dytë. Rubio u fuqizua me mbështetjen që mori nga guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley.

Gara e Partisë Demokrate të shtunën zhvillohet në Nevada, ku Hillary Clinton përballet me rivalin Bernie Sanders.

“Udhëheqje nuk do të thotë të mbrosh çështje që gëzojnë popullaritet. Udhëheqje do të thotë të mbrosh të drejtën, edhe kur ajo nuk gëzon popullaritet”, thotë zoti Sanders.

Clinton po përpiqet të marrë votat e afrikano-amerikanëve në Karolinën e Jugut, ku demokratët votojnë më 27 shkurt.

"Unë dua t’i shkatërroj të barrierat me të cilat ndeshen afrikano-amerikanët për shkak të racës.”

Një anketë e re në shkallë kombëtare tregon se kandidatët demokratë Sanders dhe Clinton janë në një garë tepër të ngushtë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG