Lidhje

Sektori i naftës në Dakotën e Veriut

  • Kane Farabaugh

Shteti i Dakotës së Veriut ka një nga normat më të ulëta të papunësisë në vend, në sajë të shumë vendeve pune të krijuara nga një zhvillim i madh i sektorit të naftës në pjesën perëndimore të shtetit, i cili shtrihet në një nga depozitat më të mëdha të naftës në vend. Ky treg pune vazhdon të rritet ndërkohë që shumë biznese transferohen në Dakotën e Veriut, të tërhequra nga premtimi i fitimeve të mëdha, por jo pa vështirësi.

Qyteti dikur i fjetur i Willistonit në Dakotën e Veriut është tani një qendër e gjallëruar biznesi, falë mënyrave të reja për nxjerrjen e naftës nga depozitat e shistit argjilor në rajon. Kushdo kërkon të jetë pjesë e këtij zhvillimi:

"Willistoni është tani qyteti me shtimin më të shpejtë të popullsisë, mes qendrave me më pak se 50 mijë banorë."

Shawn Wenko është Ndihmës Drejtor në Zyrën e Zhvillimit Ekonomik të Willistonit. Ai pranon se organizata e tij dhe shteti i Dakotës së Veriut e kanë pasur të vështirë të përballojnë numrin e madh të njerëzve dhe bizneseve që kanë vërshuar në rajon.

"Mjafton të shihen ndërtimet që ndërtimet që po zhvillohen, është një rritje fenomenale. Në vitin e fundit, vlerësimet për leje ndërtimi që kemi bërë në qytetin e Willistonit kapin një vlerë prej mbi 1.2 miliardë dollarë."

Kompania Vactor përfitoi një nga ato leje.

Kjo firmë me qendër në Ilinoi prodhon sistemeve industriale vakumi që montohen në kamionë.

Zakonisht të përdorura nga bashkitë e qyteteve për të pastruar kanalizimet dhe rrjetet e drenazhit, pajisjet Vactor mund të përdoret gjithashtu në sistemet e nxjerrjes së naftës dhe për depozitat, duke shtuar kërkesën për produktet e saj në Dakotën e Veriut.

"Ka rreth 25 ose më tepër konkurrentë në treg dhe të gjithë po përpiqen të zgjerohen në Dakotën e Veriut."

Administratori i Përgjithshëm i kompanisë Vactor Sam Miceli thotë se kompania e tij ka ndërtuar kohët e fundit një qendër shërbimi në Williston për mirëmbajtjen e kamionëve dhe pajisjeve të tjera që kanë shitur në sektorin e naftës.

"Të mbash në gjendje të mirë ato pajisje nuk është diçka e lehtë dhe është një treg me kërkesa të larta, kështu që kur një makinë ka difekt ose ka nevojë për një pjesë këmbimi, ata kanë nevojë për atë në moment. Nuk kam punuar kurrë në një vend ku paraja nuk është problem. Nëse ke atë që më duhet, do të paguaj për të. Kjo është një perspektivë vërtet interesante për një prodhues. Pra, sfida jonë është të gjejmë mënyra për ta shfrytëzuar këtë mundësi."

Por ai thotë se një nga sfidat më të mëdha ka qenë rekrutimi dhe mbajtja e punonjësve në qendrat e shërbimit.

"Jo vetëm që duhet t’i paguash mirë, por duhet t’u sigurosh strehim dhe t’u ofrosh stimuj për të qëndruar në vendin e punës."

Për shkak të nivelit të lartë të pagesës për shumë profesione, Dakota e Veriut është e para në vend për numrin e të ardhurve. Ekonomia e shtetit është rritur pesë herë më shpejt sesa mesatarja kombëtare gjatë viteve të fundit dhe popullsia e pjesës perëndimore të tij pritet të shtohet me 50 për qind brenda disa dekadave, ndërkohë që kompani të shumta të përpiqen të përfitojnë nga zhvillimi i madh i sektorit të naftës.

Kjo është arsyeja pse Shawn Wenko thotë Willistoni është duke planifikuar në mënyrë afatgjatë.

"Do të investojmë 258 milionë dollarë për rrugët tona. Jemi duke u përpjekur të përmirësojmë sistemin tonë të trajtimit të ujërave, synojmë përmirësimin e aeroportit, zgjerimin e vendit për depozitimin e mbeturinave, ngritjen e ndërtesave të reja qeveritare të qytetit, përmirësimin e zjarrëfikëseve, stacioneve të policisë, çdo gjë që bën qytetin të funskionojë."

E gjithë kjo mund të ndihmonte në dy gjëra të tjera që janë në rritje e sipër: nevoja për shërbime sociale dhe niveli i kriminalietit.

XS
SM
MD
LG