Lidhje

Koreja e Jugut, liberali Moon Jae-in deklaron fitoren në zgjedhje


Në Korenë e Jugut, liberali Moon Jae-in deklaroi fitoren në zgjedhjet presidenciale, duke u zotuar se ka për të qenë përfaqësuesi i të gjithë popullit jugkorean. Ai i bëri këto komente pasi dy nga rivalët më pranë me rezultatin e tij në zgjedhjet e së martës, pranuan humbjen.

Anketat e para pas-zgjedhore treguan se kandidati i Partisë Liberal Demokrate, Moon Jae-in është fituesi i zgjedhjeve, pasi siguroi 41 për qind të votave, shumë më tepër se dy rivalët atij më të afërt. Kandidati i Partisë së Lirisë, Hong Joon-pyo, siguroi 23 për qind të votave dhe ai i Partisë centriste të Popullit, Ahn Cheol-soo, siguroi 21 për qind.

Kjo do të jetë hera e parë pas një dekade që Koreja e Jugut pritet të drejtohet nga një president liberal. Ish presidentja konservatore Park Geun-hye, u detyrua të largohej nga posti për shkak të një skandali korrupsioni.

Pjesëmarrja në votime shënoi shifra rekord mbi 80 për qind.

Moon Jae-in, me profesion jurist për të drejtat e njeriut, ka premtuar se do të pakësojë korrupsionin qeveritar, do të shtojë shpenzimet për të krijuar vende pune dhe do të rrisë taksat ndaj të pasurve Ai ka bërë thirrje gjithashtu për më tepër angazhim me Korenë e Veriut, përfshirë rihapjen atje të një kompleksi të përbashkët industrial, që u mbyll vitin e kaluar, pas provës së katërt bërthamore të Phenianit.

“Seuli duhet të marrë një rol më aktiv në marrëdhëniet diplomatike, për të frenuar kërcënimin bërthamor të Koresë së Veriut dhe jo thjesht të qëndrojnë pasiv ndaj bisedimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Koreja e Jugut duhet të ketë rol udhëheqës në këtë proces”, tha zoti Moon.

Fitorja e tij do të shënonte herën e parë që liberalët marrin pushtetin, pas një dekade sundimi të partisë konservatore.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se Uashingtoni pret me kënaqësi për ta vazhduar bashkëpunimin e afërt dhe konstruktiv me Presidentin e ri të Koresë së Jugut.

Rezultatet zyrtare të zgjedhjeve presidenciale në Korenë e Jugut pritet të shpallen të mërkurën në mëngjes.

Zgjedhjet u mbajtën pas një periudhe me trazira politike. Protestat masive, ushtruan presion ndaj Asamblesë Kombëtare, për ta detyruar Presidenten konservatore Park Geun-hye të largohej nga posti. Ish-presidentja u arrestua në muajin mars, për shkak të një skandali korrupsioni. Ky skandal u pasua edhe me ngritjen e aktpadive ndaj zëvendësshefit të kompanisë Samsung dhe ndaj kryetari të Grupit Lotte.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG