Lidhje

Dënohet kapiteni i tragetit koreanojugor


Një gjykatë e Koresë së Jugut i ka dhënë një dënim me 36 vjet burg kapitenit të një trageti që u përmbys në prill, duke vrarë më shumë se 300 njerëz.

Gjykata e Qarkut në Guangju sot shpalli fajtor Kapitenin Lee Jun-Seok për neglizhencë për braktisjen e tragetit Sewol që u fundos më 16 prill. Gjyqtarët e liruan atë nga një akuzë për vrasje që mund të ketë rezultuar në dënimin me vdekje që kërkohej nga prokurorët.

Kryeinxhinieri i tragetit u shpall fajtor për vrasje për mos dhënien e ndihmës për dy anëtarë të plagosur të ekuipazhit. Ai mori një dënim me 30 vjet burg. 13 anëtarët e tjerë të ekuipazhit u gjetën fajtorë për krime të ndryshme dhe morën dënime me burg nga pesë deri në 20 vjet.

Koreanojugorët u zemëruan pas publikimit të një videoje e cila tregonte largimin e ekuipazhit nga anije që po fundosej me qindra pasagjerë ende në bord, kryesisht nxënës. Disa nga të mbijetuarit dëshmuan se kur filluan problemet e anijes, ekuipazhi i udhëzoi ata të qëndronin aty ku ishin në vend se të përpiqeshin t’i evakuonin ata.

Kapiteni Lee dhe anëtarët e tjerët të ekuipazhit kanë kërkuar falje, duke thënë se ata nuk e dinin se veprimet e tyre do të çonin në atë që u bë fatkeqësia më vdekjeprurëse në vend në disa dekada.

XS
SM
MD
LG