Lidhje

Në kujtim të udhëtimit në Polin e Jugut


Ekspedita u organizua për të rritur ndërgjegjësimin për kërcënimin e ngrohjes globale.

Ka kaluar një shekull që nga momenti kur eksploruesi norvegjez Roald Amundsen u bë njeriu i parë që shkelte në Polin e Jugut. 100 vjet më pas një bashkëkombas vendosi të përshkojë itinerarin e Amundsenit për të rritur ndërgjegjësimin për pasojat që ka ngrohja globale tek mjedisi delikat i Antarktidës.

Në vitin 1911, Roald Amundsen mundi britanikun Robert Scott në garën për të arritur Polin e Jugut.Kur Jan-Gunnar Winther i Institutit Polar Norvegjez vendosi të bëjë të njëjtin udhëtim 100 vjet më pas, ai filloi të lexonte shënimet e eksploruesit të famshëm.

“E njihnim itinerarin nga libri dhe ditaret e tij. Studiuam relievin nga imazhet e satelitëve. Bëmë disa devijime nga rruga përshkoi ai, pasi ai pati disa herë momente shumë të vështira”.

Amundsen përdori slitat e tërhequra nga qentë për të përshkuar një terren tepër të ashpër me shpejtësinë 8 kilometra në orë. Aventurierët e ditëve tona avancuan me gjysmën e asaj shpejtësie me ski. Për të ndjekur të njëjtin itinerar, atyre iu desh të udhëtonin për një kohë më të gjatë çdo ditë.

“Segmenti i parë është 700 kilometra për të përshkuar ajsbergun Ross. Kur arritëm tek zona malore prej 100 kilometrash, u ngjitëm mbi 3000 metra mbi nivelin e detit, ku arritëm një rrafshnaltë që e përshkuam deri tek Poli i Jugut”.

Eksploruesi Winther thotë se udhëtimi kërkonte jo vetëm forcë fizike, por edhe përqendrim mendor për periudha të gjata kur përshkonin terren monoton, që ishte pak a shumë i njëjtë me përshkrimet e Amundsenit.

“Ka male, ka akullnaja, por u çuditëm nga fakti se përshkrimet e Amundsenit për shtresa dëbore të butë dhe sipërfaqe të sheshta i hasëm në realitet. Po ashtu edhe përshkrimet e tij për zona me borë të ngrirë”.

Por këto ishin ngjashmëritë e vetme. Gazet e çliruara për një shekull nga prodhimi industrial, makinat dhe ngrohja e ndërtesave e kanë ngarkuar atmosferën me kimikate të dëmshme që shkaktojnë efektin serrë. Akullnajat masive të Antarktidës po shkrijnë me ritme shqetësuese, gjë që po shkakton ngritjen e nivelit të detit.

Ky ishte mesazhi kryesor që përcillnin Winther dhe ekipi i tij çdo mbrëmje kur ktheheshin në tenda. Ata shkruanin bloge, u përgjigjeshin mesazheve elektronike dhe zhvillonin biseda të drejtpërdrejta me nxënës përmes internetit:

“Mendoj se ekspedita të tilla mund t’i frymëzojnë të rinjtë të tregojnë më shumë interes, të studiojnë zhvillime që ndikojnë tek planeti ynë”.

Winther shpreson se udhëtimi i tij në gjurmët e ekspeditës historike të Amundsenit do të ndihmojë për të rritur ndërgjegjësimin për kërcënimin në rritje ndaj këtij terreni të ashpër, por mahnitës, me synimin për të nxitur masa që shpëtojnë planetin.
XS
SM
MD
LG