Lidhje

SHBA, sanksione ndaj udhëheqësve ushtarakë të Sudanit të Jugut


Shtetet e Bashkuara kanë shpallur sanksionet e para kundër Sudanit të Jugut, ku përleshjet mes forcave qeveritare dhe atyre anti - qeveritare kanë lënë mijëra njerëz të vdekur që nga mesi i dhjetorit.

Sekretari i Shtetit John Kerry tha se Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione financiare ndaj Marial Chanuong, një komandant ushtarak i forcave të qeverisë dhe Peter Gadet, një udhëheqës ushtarak besnik i ish- nënpresidentit Riek Machar.

Gjatë një konference për shtyp dje me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherin Ashton, Sekretari Kerry tha se të dy burrat janë përgjegjës për "dhunën kundër civilëve".

"Ne do të bëjmë çmos për të parandaluar zhytjen e Sudanit të Jugut përsëri në dhunë dhe dëshpërim që ka shkatërruar atë vend për një kohë kaq gjatë".

Sanksionet do të ngrijnë të gjitha pasuritë e të dy komandantëve ushtarak në Shtetet e Bashkuara dhe do të ndalojnë qytetarët dhe kompanitë amerikane të bëjnë biznes me ta.

Sekretari Kerry vizitoi Sudanin e Jugut javën e kaluar dhe u takua me Presidentin Salva Kiir, i cili ra dakord për të marrë pjesë në bisedimet e paqes me rivalin dhe ish-nënpresidentin e tij Riek Machar, në Etiopi.

Më shumë se 1.2 milion njerëz janë zhvendosure nga shtëpitë e tyre për shkak të luftimeve dhe dhunës etnike në Sudanin e Jugut.
XS
SM
MD
LG