Lidhje

Armëpushim i njëanshëm në Sudanin e Jugut


Qeveria e Sudanit të Jugut ka rënë dakord për një armëpushim në një përpjekje për t'i dhënë fund dhunës që u shkaktua nga lufta për pushtet politik. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Gabe Joselow sjellë hollësi mbi njoftimin për armëpushim i cili pasoi një përpjekje të udhëheqësve rajonalë për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Sudanit të Jugut, Mawien Makol Arik, i tha Zërit të Amerikës dje se armëpushimi i shpallur nga qeveria do të hyjë në fuqi menjëherë.

"Nga sot e tutje, nuk do të ketë angazhim ushtarak nga ana e qeverisë."

Dhuna shpërtheu në kryeqytetin e vendit, Juba, më 15 dhjetor dhe është përhapur në mbarë vendin ndërkohë që është intensifikuar lufta për pushtet midis Presidentit Salva Kiir dhe ish nënpresidentit Riek Machar, rivali i tij kryesor politik.
Luftimet kanë ndarë vetë ushtrinë në disa rajone, dhe kanë ngritur tensionet ndëretnike.
Zëdhënësi Arik thotë se zoti Machar do të ketë tre ditë afat për t'iu përgjigjur thirrjes për armëpushim.
Ai gjithashtu tha se ushtarët e qeverisë kanë marrë nën kontroll kryeqytetin e shtetit të Nilit të Epërm, Malakal, pas betejave të ashpra disa ditore, dhe do të jenë gati për të mbrojtur veten nëse sulmohen.

Krerët e shteteve të Afrikës Lindore, në takimin e zhvilluar dje në Nairobi, përshëndetën angazhimin e qeverisë së Sudanit të Jugut për t'i dhënë fund armiqësive dhe i bënë thirrje ish nënpresidentit Machar dhe palëve të tjera të bëjnë të njëjtën gjë.

Ish nënpresidenti Machar dhe Presidenti Kiir në parim kanë rënë dakord të zhvillojnë bisedime, edhe pse qeveria i ka hedhur poshtë kushtet e zotit Machar, duke përfshirë lirimin e aleatëve të tij politikë, të cilët u burgosën disa ditë para fillimit të krizës politike në vend.

Në një fjalim në takimin e udhëheqësve të Afrikës Lindore, Presidenti Kenias, Uhuru Kenyatta tha se duhet të bëhen përpjekje për të përfshirë në bisedime edhe udhëheqësit politikë të ndaluar nga qeveria.

"Të arrestuarit janë pjesë e udhëheqjes së Sudanit të Jugut dhe si të tillë janë pjesë e zgjidhjes. Sistemi ligjor i Sudanit të Jugut duhet t’i përfshijë ata në procesin politik, ata duhet të trajtohen në mënyrë njerëzore dhe duhet të bëhen pjesë pjesë integrale e dialogut që do të zgjidhë problemet themelore politike që kanë shkaktuar këtë krizë. "

Në një komunikatë të lëshuar në fund të takimit të grupit rajonal IGAD, u bëhet thirrje të gjitha palëve të përfshira në konflikt që të fillojnë bisedimet e drejtpërdrejta deri në fund të vitit.

Presidenti Kiir ka akuzuar ish nënpresidentin Machar dhe mbështetësit e tij për përpjekje për grusht shtet. Ish nënpresidenti Machar i ka mohuar këto akuza, por i ka bërë thirrje forcave të armatosura të rrëzojnë Presidentin.
Kryeministri etiopian Hailemariam Desalegn, kryetari aktual i grupit IGAD, tha në takim se autoriteti në vend qëndron në duart e presidentit.

"Duhet theksuar se qeveria legjitime e Sudanit të Jugut nën Presidentin Salva Kiir Mayardit është përfaqësuese e zgjedhur e popullit të Sudanit të Jugut dhe ajo është përgjegjëse për rivendosjen e paqes dhe stabilitetit në mbarë vendin."

Presidenti Kenyatta dhe kryeministri Hailemariam u takuan me presidentin Kiir në Juba të enjten për të diskutuar mundësinë e fillimit të bisedimeve. Presidenti Kiir nuk ishte i pranishëm në takimin e së premtes.

Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, më shumë se një mijë njerëz janë vrarë në dhunën që ka përfshirë mbarë vendin, ndërsa më shumë se 50 mijë civilë kanë kërkuar strehim në bazat e OKB-së.
XS
SM
MD
LG