Lidhje

SHBA shton angazhimin në Sudanin e Jugut

  • Jeff Seldin

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon i ka kërkuar Këshillit të Sigurimit që të dërgojë 5 mijë e 500 trupa paqeruajtëse shtesë në Sudanin e Jugut sa më shpejt që të jetë e mundur, për të mbrojtur civilët nga përkeqësimi dhunës.
Këshilli i Sigurimit pritet të votojë sot pasdite për një rezolutë për të transferuar trupat nga misionet e tjera të OKB-së në Afrikë.

Veprimi i OKB-së vjen pasi Shtetet e Bashkuara shtuan përpjekjet diplomatike për të qetësuar dhunën etnike në rritje në Sudanin e Jugut dhe filluan ripozicionimin e trupave në rajon në rast nevoje.

Ndërkohë që mijëra sudanezë nga Sudani i Jugut u grumbulluan në një kamp të Kombeve të Bashkuara në Juba në kërkim të sigurisë, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Sudanin dhe Sudanin e Jugut gjithashtu ndodhej në kryeqytet për të zhvilluar një takim me Presidentin Salva Kiir.

Ambasadori Donald Booth , duke folur përmes telefonit me gazetarët në Uashington, tha dje se ai pati një "diskutim të sinqertë dhe të hapur," me Presidentin Kiir, i cili kishte shprehur gatishmërinë për të filluar bisedimet me ish- nënpresidentin Riek Machar për t'i dhënë fund dhunës në vendin e tyre.

Ambasadori Booth u takua edhe me 11 zyrtarë të lartë, aleatë të zotit Machar që po mbahen në Juba. Ai tha se ata janë në gjendje të mirë shëndetësore, dhe ai shprehu gatishmërinë për t'i dhënë fund krizës në mënyrë paqësore.

Por më herët, zoti Machar i kishte thënë agjencisë së lajmeve Reuters se nuk mund të ketë bisedime pa lirimin e aleatëve të tij.

"Këta janë njerëzit të cilët do të angazhohen në dialog. Ne duam një zgjidhje paqësore të këtij konflikti. Ne nuk duam që njerëzit tanë t'i nënshtrohen vuajtjeve të shumta. Ata tashmë kanë vuajtur mjaft. Ne duam paqe. ''

Në Kombet e Bashkuara, Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki -mun paralajmëroi të dyja palët duke thënë se bota është duke ndjekur nga afër situatën në Sudanin e Jugut.

"Sulmet ndaj civilëve dhe paqeruajtësve të OKB-së që janë disklokuar për t’i mbrojtur ata duhet të ndalen menjëherë. Kombeve të Bashkuara do të hetojnë raportet për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe krime kundër njerëzimit. Zyrtarët e nivelit të lartë që janë përgjegjës do të japin llogari dhe do të përballen me pasojat, madje edhe nëse ata pretendojnë se nuk kishin dijeni për sulmet.''

Rreth 7 mijë paqeruajtës të OKB-së ndodhen në Sudanin e Jugut, dhe Sekretari i Përgjithshëm po kërkon dërgimin e më shumë paqëruajtësve në këtë vend.

Komanda e Shteteve të Bashkuara për Afrikën gjithashtu është duke marrë masa paraprake, thotë Koloneli i ushtrisë amerikane Steve Warren:

"Komandanti luftarak është duke riorganizuar forcat e tij në rajon për t’u siguruar që ne kemi aftësitë e nevojshme për t'iu përgjigjur çdo kërkese të Departamentit të Shtetit."

Zyrtarët amerikanë tashmë kanë evakuuar rreth 380 amerikanë nga Sudani i Jugut dhe thonë se shumë qytetarë të tjerë amerikanë ende mund të jenë të pranishëm në vend. Deri tani, ata thonë se nuk ka patur asnjë kërkesë për të përdorur trupat amerikane.
XS
SM
MD
LG