Lidhje

Afrika e Jugut përgatitet për funeralin e Mandelës


Afrika e Jugut po përgatitet për funeralin e Nelson Mandelës, ikona e luftës kundër aparteidit, i cili vdiq të enjten në moshën 95 vjeç.

Presidenti Jacob Zuma tha se Afrika e Jugut ka humbur "birin e saj më të madh ndërsa populli babanë e tij."

Funerali shtetëror do të mbahet më 15 dhjetor dhe zoti Mandela do të varroset në fshatin e tij stërgjyshor Qunu të provincës së Kepit Lindor.

E diela 8 Dhjetor është shpallur ditë kombëtare e lutjes dhe reflektimit. Presidenti Zuma u ka bërë thirrje afrikanojugorëve të mblidhen nëpër "salla, kisha, xhami, tempuj, sinagoga dhe në shtëpitë e tyre" për lutje dhe meditim, për të reflektuar mbi jetën e Mandelës dhe kontributin e tij në Afrikën e Jugut dhe në botë.

Shërbimi zyrtar përkujtimor do të mbahet më 10 dhjetor në stadiumin e madh të Johanesburgut, ku u zhvillua finalja e Botërorit 2010.

Banorë të Sovetos, lagjes së varfër pranë Johanesburgut ku jetonte Nelson Mandela, janë pushtuar nga trishtimi dhe tronditja pas vdekjes së ish-udhëheqësit anti-apartejdit. Ata që jetojnë pranë shtëpisë së vjetër të Mandelës në Soveto thonë se ajo banesë do t’u kujtojë gjithmonë veprën e tij të madhe.

“Një re e zezë dhe një atmosferë trishtimi ka përfshirë Afrikën e Jugut,” shprehet një nga fqinjt e dikurshëm të zotit Mandela në Soveto.

Shumë prej tyre ende e thërrasin me emrin fisnor, Madiba, dhe e përshkruajnë vdekjen e tij si një ndër humbjet më të mëdha jo vetëm për Afrikën e Jugut, por edhe për mbarë botën.

Godfrey Maphoto, një 34-vjeçar nga Soveto, nuk i ndal dot lotët kur flet për Mandelën.

"Kemi humbur një njeri të madh. Po rënkojmë. Askush nuk mund të zërë vendin e tij. Ai ishte një njeri shumë i organizuar dhe me zemër të mirë. Atë nuk e kujton vetëm Afrika e Jugut, por e gjithë bota”.

30-vjeçari Kgomotso Morena thotë se megjithëse Mandela kishte qenë i sëmurë për një kohë të gjatë, njerëzve do t’u duhet kohë të pranojnë se ai është ndarë nga jeta.

"Mendoj se është disi e çuditshme, pasi në fakt e prisnim një gjë të tillë, por kur mësuam se kishte vdekur më goditi rëndë”.

Megjithëse 25-vjeçarja Chili Xaba është tronditur nga vdekja e Mandelës, ajo thotë se shtëpia e tij në Soveto do të mbetet përgjithmonë simbol i një njeriu të madh që jetoi mes tyre.

"Më vjen shumë mirë që jetoj në rrugën Vilakazi. Kjo rrugë njihet në gjithë botën pasi këtu banonte Mandela. Po ashtu jetonte edhe Peshkopi Desmond Tutu, prandaj ndjehem shumë mirë që banoj në këtë rrugë”.

Qindra vetë nga pjesë të ndryshme të Sovetos dhe më tej u mblodhën pranë banesës së Mandelës dje, për të kujtuar veprën e tij.

Eunice Modiboa, mësuese në një shkollë të zonës, u bën thirrje jugafrikanëve të ruajnë të gjallë trashëgiminë e Mandelës.

"Ata duhet të vazhdojnë të ecin në gjurmët e tij; pikërisht këtë donte Mandela, që të gjithë të ishin të bashkuar”.

Trupi i Mandelës do të vendoset në një ndërtesë qeveritare në Pretoria, ku do të bëhen homazhe, para funeralit dhe varrimit në fshatin e lindjes në Qunu.
XS
SM
MD
LG