Lidhje

Sfidat e industrisë së fluturimeve në hapësirë


Planet për dërgimin e turistëve në hapësirë mund të shtyhen pas rrëzimit të anijes hapësinore SpaceShipTwo të kompanisë Virgin Galactic dje gjatë një fluturimi testues. Ky është shpërthimi i dytë i një anije hapësinore komerciale në Shtetet e Bashkuara këtë javë. Siç na njeh materiali në vazhdim, dy incidentet kanë ngritur pyetje lidhur me të ardhmen e fluturimeve komerciale në hapësirë në Shtetet e Bashkuara.

Pamjet televizive të marra nga një helikopter tregojnë mbetjet e anijes hapësinore të shpërndara në shkretëtirën Mohave në Kaliforni. Autoritetet lokale thonë se piloti i dytë u vra, ndërsa piloti kryesor u shtrua në spital me lëndime të rënda.

"Kjo ishte vetëm një provë. Nuk ishte një ngjarje publike. Nga ajo që kam parë, nuk ka patur asgjë të parregullt. Unë u informova se në dallim nga provat e tjera kësaj radhe shtëllungat e tymit dukeshin më ndryshe. Dhe ashtu ndodhi".

Virgin Galactic tha se prova e parë e anijes hapësinore pati një "anomali serioze". Pronari i kompanisë, miliarderi britanik Richard Branson, shpresonte të fillonte udhëtimet turistike në hapësirë brenda disa muajve.

SpaceShipTwo u nis me ndihmën e avionit WhiteKnightTwo të premten në mëngjes nga një vend në shkretëtirë. Menjëherë pas ndarjes nga avioni transportues, anija hapësinore u rrëzua në tokë.

Rreth 800 njerëz kanë rezervuar vende për të fluturuar në orbitë.

Ndërkohë, zyrtarët po hetojnë se çfarë e shkaktoi dështimin e anijes së tyre hapësinore të transportit të mallrave të martën në Wallops Island të Virxhinias. Në bazë të një kontrate 1.9 miliardë dollarëshe me NASA-n, anija e kompanisë Cygnus, e ndihmuar nga një raketë Antares, ishte e ngarkuar me më shumë se dy ton ujë, ushqime dhe pajisje që duhej të dërgoheshin në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Gjithçka u shkatërrua gjatë rrëzimit të saj.

Dy fluturime të mëparshme orbitale në hapësirës për NASA-n ishin të suksesshme dhe industria e fluturimeve në hapësirë nuk pranon të lejoj këto dy incidente ta ndalojnë përparimin e saj.

"Ky është një hap prapa, një pengesë afatshkurtër, por Orbital do të organizoj edhe katër udhëtime të tjera në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës dhe ne presim që ato të jenë një sukses i madh".

Është e qartë, megjithatë, se Orbital Corporation do të pësojë humbje financiare. Përveç humbjes së një anije hapësinore, është dëmtuar edhe pista e vetme e kompanisë në Virxhinia.

NASA ka një kontratë me një tjetër kompani private, Space X Corporation, me bazë në Kalifornia automjeti i së cilës ka në plan të dërgojë furnizime në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës në dhjetor.

XS
SM
MD
LG