Lidhje

Kapsula Dragon drejt stacionit hapësinor


Një kapsulë hapësinore private, e quajtur Dragon, po udhëton drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, duke transportuar furnizime thelbësore për astronautët në orbitë. Ky mision shënon një ndryshim në funksionimin e agjencisë amerikane të hapësirës, e cila, për të arritur në stacionin hapësinor, është duke u mbështetur tani tek firmat tregtare, e jo tek qeveria.

Ky është i pari prej 12 misioneve transportuese që kompania SpaceX, me qendër në Kaliforni, ka rënë dakord të ndërmarrë, si pjesë e një kontrate me NASA-n, me vlerë 1,6 miliardë dollarë. Është hera e dytë që një kompani jo-qeveritare nis një kapsulë drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës. Ashtu si në këtë video të fluturimit demonstrues historik të SpaceX në muajin maj, mjeti pa pilot do t’i afrohet laboratorit orbital dhe astronautët do të përdorin krahun robotik të stacionit për të ankoruar kapsulën Dragon.
Ky proces do të jetë sërish një sfidë, thotë presidentja e kompanisë SpaceX, Gwynne Shotwell.

"Arsyeja është se kapsula do të jetë pranë Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës. Ai është një objekt orbital me ekuipazh dhe me vlerë 100 miliardë dollarë, prandaj duhet qenë shumë të kujdesshëm gjatë veprimeve të ndërmarra."

Administratori i NASA-s, Charlie Bolden, thotë se nisja e kapsulës private ishte tepër e rëndësishme.

"Jemi duke zhvendosur tek sektori privat transportet tona drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, në mënyrë që NASA të mund të përqëndrohet tek eksplorimi edhe më i thellë i sistemit tonë diellor, me misione të ardhshme në një asteroid dhe në Mars."

NASA humbi aftësinë për të arritur stacionin hapësinor kur tërhoqi përfundimisht anijet e flotës së saj, vitin e kaluar. Rusia, Evropa dhe Japonia janë ende në gjendje të transportojnë furnizime në laboratorin në orbitë, por, ndryshe nga kapsula Dragon, mjetet e tyre hapësinore nuk kthehen në Tokë.
Julie Robinson është shkencëtare e NASA-s.

"Kapsula Dragon, e SpaceX-it, është një mjet me të vërtetë i rëndësishëm për ne, sepse ajo mbështet përdorimin laboratorik të stacionit, duke çuar atje furnizime por edhe duke sjellë mostra kërkimore këtu në tokë, pasi ka aftësi të mira rikthimi. Ajo praktikisht zëvendëson atë kapacitet që ne humbëm duke tërhequr anijet tona."

SpaceX dhe kompani të tjera i japin NASA-s lirshmëri të madhe, por kjo përmban dhe rrezik, thotë Howard McCurdy, profesor i çështjeve publike në Universitetin Amerikan, në Uashington.

"Është një bast, sepse ajo në të cilën Shtetet e Bashkuara po investojnë është ideja që sektori privat mund të bëjë atë që NASA dukej e paaftë të arrinte gjatë fluturimeve të fundit të anijeve të saj. Pra, zhvillimi i mjeteve hapësinore që të mund të transportojnë furnizime dhe njerëz me një kosto të ulët, por me besueshmëri të lartë, nga sipërfaqja e Tokës në orbita të ulëta, si dhe anasjellas."

Kompania SpaceX thotë se pret që kapsula Dragon të jetë në gjendje të transportojë njerëz, brenda tre vjetësh.
XS
SM
MD
LG