Lidhje

Në Pamplona përfundon gara e demave


Një dem i fuqishëm i quajtur Navahito – apo Biçaku e përfundoi itinerarin prej 850 metrash në 2 minuta.

Brohoritje entuziaste përcollën përfundimin e vrapimit të demave sot në Pamplona të Spanjës ku po zhvillohet festivali i famshëm vjetor i San Ferminit. Një dem i fuqishëm i quajtur Navahito – apo Biçaku, u shkëput nga grupi i demave të tjerë dhe e përfundoi itinerarin prej 850 metrash në 2 minuta.

Vrapimi i sotëm nuk shënoi plagosje problematike. Pati lëndime të lehta të shkaktuara kur vrapuesit rrëzoheshin duke u përpjekur t’u shpëtonin brirëve të demave apo shtypjes prej tyre në rrugët me kalldrëm të Pamplonës.

Festivali i San Ferminit është një nga ngjarjet më popullore turistike për Spanjën dhe mbledh çdo vit dhjetëra mijëra aventurierë dhe entuziastë të kësaj tradite, disa për të marrë pjesë dhe të tjerë thjesht për të ndjekur garën.

Festimet, vera dhe shallet e kuqe që mbajnë njerëzit janë simbolet më të njohura të festivalit që përfundon më 14 korrik. Por vrapimi i demave është aktiviteti më i famshëm.

Çdo vit ka rreth 200 të lënduar, një pjesë e vogël e të cilëve nga goditjet e brirëve të demave ose të shkelur prej tyre. Tre vjet më parë, vrapimi i demave shkaktoi edhe një të vdekur. Tradita vjetore e Pamlonës mori famë nga romani i Ernest Heminguejt “Dielli Lindi Përsëri” i vitit 1926.
XS
SM
MD
LG