Lidhje

BE bien dakord për të ndihmuar Spanjën


BE do të ofrojë një paketë financiare prej 37 miliardë dollarësh për bankat spanjolle në vështirësi

Ministrat e 17 vendeve të eurozonës në takimin e zhvilluar sot në Bruksel ranë dakord mbi një plan për të ndihmuar bankat spanjolle në vështirësi. Shefi i eurozonës, Jean-Claude Juncker tha se pas miratimit të planit nga qeveritë dhe parlamentet e eurozonës, ministrat e financave do ta finalizojnë marrëveshjen më 20 korrik.

Ministrat e financave të eurozonës kanë rënë dakord për një plan prej 37 miliard dollarësh për të ndihmuar bankat e Spanjës në vështirësi.

Presidenti i Eurogrupit Jean-Claude Juncker tha sot se paratë duhet të jenë në dispozicion nga fundi i muajit pas miratimit përfundimtar të marrëveshjes.

“Ne synojmë zyrtarizimin e marrëveshjes në pjesën e dytë të muajit korrik, duke marrë parasysh procedurat parlamentare, dhe do të mundësojmë lëshimin e këstit të parë prej 30 miliard euro nga fundi i këtij muaji, për nevojat urgjente të sektorit bankar të Spanjës”.

Spanja ka kërkuar 125 miliardë dollarë ndihmë financiare ndërkohë që kostot e huamarrjes së këtij vendi janë rritur. Zyrtarët thanë sot se shuma e përgjithshme e planit mund të arrijë këtë nivel dhe se marrëveshja e kredisë e detyron Spanjën të fillojë zbatimin e reformave në sektorin bankar.

Lidhur me miratimin e ndihmës për Spanjën, ministri francez i financave Pierre Moscovici (Moskovisi) tha se vendimi për të ndihmuar Spanjën është legjitim duke marrë parasysh degradimin e madh të situatës makro-ekonomike të këtij vendi.

“Ishte një vendim i lehtë dhe bazohet në faktin se të gjithë janë të vetëdijshëm se Spanja ka bërë hapa të rëndësishëm dhe reforma pozitive”.

Ministrat ranë dakord gjithashtu për t’i dhënë Spanjës një vit shtesë - deri më 2014 - për të shkurtuar deficitin e saj buxhetor në kufirin e lejuar të Bashkimit Evropian prej 3 për qind.
XS
SM
MD
LG