Lidhje

Spanjë, reagime për paketën e shpëtimit


Madridi vendosi të pranojë ofertën e BE-së, banorët shfaqin opinione të ndryshme

Udhëheqësit evropianë shpresojnë që paketa e ndihmës financiare për Spanjën me vlerë deri në 100 miliardë euro të ndihmojë në zbutjen e krizës financiare, e cila rrezikon të shpërbëjë bashkimin monetar 17-anëtarësh të eurozonës. Lajmi mbi vendimin e Spanjës për të pranuar ofertën e Bashkimit Evropian ka ngjallur tek banorët e Madridit opinione të ndryshme.

Njerëzit në kryeqytetin spanjoll vazhdojnë të diskutojnë mbi lajmin se Spanja do të pranojë paketën financiare të ofruar nga Bashkimi Evropian me vlerë deri në 100 miliardë euro për të shpëtuar bankat e saj problematike.

Ministrat e financave të eurozonës thanë se paratë do të dërgohen në një fond që Spanja ka ngritur për të rikapitalizuar bankat e saj, dhe theksuan se qeveria spanjolle është përgjegjëse për kredinë.

Banori i Madridit Miguel Blanco mendon se shkaku i gjendjes është keqmenaxhimi i bankave.

"Kjo qeveri njofton disa masa, dhe më pas ndërmerr të tjera. Asgjë nuk do të ndryshojë. Ky është rezultat i administrimit të keq të bankave që bëhet nga njerëz të paaftë, të cilët nuk paguajnë për pasojat".

Pedro Jimenez, një banor tjetër i kryeqytetit spanjoll, tha se ishte i zemëruar me pagat shumë të larta të bankierëve, ndërkohë që shumica e spanjollëve luftojnë për mbijetesë.

Pranimi i ndihmës për bankat e saj nga ana e Spanjës është një kompromis i sikletshëm për kryeministrin Mariano Rajoy, i cili vetëm 10 ditë më parë këmbënguli se sektori bankar nuk do të ketë nevojë për një paketë shpëtimi.

Problemet financiare të Spanjës nuk kanë ardhur si shkak të shpenzimeve të tepërta qeveritare, si në rastin e Greqisë. Bankat e vendit patën pasoja pas shembjes së tregut artificialisht të fryrë të pasurive të patundshme.
XS
SM
MD
LG