Lidhje

Spanja kritikon ndalimin e importeve pas përhapjes së bakteries E. Kolit


Spanja kritikon ndalimin e importeve pas përhapjes së bakteries E. Kolit
Spanja kritikon ndalimin e importeve pas përhapjes së bakteries E. Kolit

Po të hapësh televizorin këtë javë në Spanjë ka të ngjarë të shikosh politikanët që përtypin kastraveca dhe buzëqeshin. Ata po përpiqen ta bindin publikun, si dhe pjesën tjetër të Evropës, se prodhimet bujqësore të Spanjës janë të sigurta.

Por 15 veta kanë vdekur në Gjermani dhe një në Suedi nga përhapja e bakteries E. Kolit, të cilën zyrtarët gjermanë e lidhën fillimisht me sallatorët e importuar nga Spanja. Qindra njerëz të tjerë janë sëmurur në atë që është shndëruar në përhapjen më të madhe në botë të bakteries E. Kolit.

Gjermania, Belgjika dhe Rusia kanë ndaluar importet e zarzavateve nga Spanja deri sa të përfundojnë hetimet. Por ministri spanjoll i bujqësisë i akuzoi këto vende se u nxituan në vendimin e tyre, pa pasur prova rreth origjinës së bakteries vdekjeprurëse.

Tani edhe vetë zyrtarët gjermanë thonë se nuk janë të sigurtë për vendimin e tyre.

Fermerët spanjollë janë të shqetësuar se tashmë dëmi për ta është bërë, ndërkohë që humbjet prej miliona eurosh kërcënojnë të destabilizojnë ekonominë në vështirësi të vendit.

Vanesa Rosi, ekonomiste në organizatën kërkimore Chatham House të Londrës, thotë se Spanja është një prej eksportuesve më të mëdhenj të sallatorëve në botë, madje eksportuesja më e madhe në Evropë.

"Ka mundësi që eksportet e kastravecit të Spanjës të përbëjnë rreth 5 për qind të Prodhmit të Përgjithshëm të Brendshëm dhe ky është problem i madh për një ekonomi që përpiqet të rimëkëmbet".

Hosé María Pozancos, drejtor i përgjithshëm i Federatës Spanjolle për Eksportet e Frutave e Zarzavateve, i tha një radioje lokale se humbjet në industrinë e tij mund të arrijnë deri në 200 milion euro në javë, nëse histeria rreth kastravecave të prodhuar në Spanjë vazhdon të përhapet në mbarë Evropën.

“Jam shumë i shqetësuar dhe i zemëruar se i gjithë informacioni që është konfirmuar deri tani e vë theksin tek ekzistenca e problemit në Hamburg të Gjermanisë dhe jo tek frutat dhe zarzavatet e prodhuara në Spanjë”.

Qendra Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve vazhdon hetimet rreth kësaj çështjeje. Por ndërsa acarohen tensionet diplomatike, kjo qendër refuzon të komentojë rreth hetimeve të saj.

Sidoqoftë ekziston një varg i gjatë prodhuesish, paketuesish, eksportuesish dhe importuesish, që punojnë për të sjellë prodhime të huaja në dyqanet lokale. Hetuesit ka të ngjarë të shqyrtojnë çdo lidhje mes fermave të kastravecave në rajonin jugor të Andaluzisë në Spanjë dhe dyqaneve në Gjermaninë veriore.

Shpërthimi i sëmundjeve në artikujt ushqimorë mund të shkaktojë dëme të mëdha ekonomike. Tailanda humbi miliarda dollarë nga eksportet e pulave kur gripi i shpendëve u përhap në gjithë vendin në vitin 2004. Hera pas here, mishi i gjedhit nga Britania është ndaluar nga pjesa tjetër e Evropës pas shpërthimit të sëmundjes së lopës së tërbuar në atë vend. Udhëheqësit spanjollë duan të shmangin të njëjtin fat, madje disa prej tyre po bëjnë thirrje për kompensime.
Zonja Rosi thotë se ideja e kompensimit të fermerëve për humbjen e të ardhurave është diçka që udhëheqësit evropianë në Bruksel mund ta kenë të vështirë ta përmbushin.

"Në këto rrethana, nuk kam dijeni nëse ekziston ndonjë rregull që fondi bujqësor në Bruksel të japë kompensime. Nuk besoj se ekziston ndonjë mekanizëm krize. Ka mundësi të jepen ndihma ose qeveria spanjolle duhet të premtojë ndihma, por natyrisht kjo do të ishte shumë e kushtueshme, po të kihet parasysh borxhi i Spanjës dhe gjendja e vështirë ekonomike".

Qeveritë janë ende në pritje të rezultatit përfundimtar rreth burimit të përhapjes së bakteries E. Kolit. Ndërkohë, rasti i pare i dyshuar i kësaj sëmundjeje është shfaqur në Spanjën veriore, një 40 vjeçar, i cili kohët e fundit kishte shkuar në Gjermani.

XS
SM
MD
LG