Lidhje

Spanja përpiqet të vërë nën kontroll borxhin publik


Vendet e Eurozonës e rritën ndjeshëm fondin e shpëtimit financiar në më tepër se 1 trilion dollarë, për të shpëtuar nga falimentimi qeveritë me borxhe të mëdha. Ministrat e financave të Eurozonës ranë dje dakord, që t’i shtojnë edhe 500 miliardë të tjerë fondit të ri të shpëtimit, i cili hyn në fuqi në muajin korrik. Kjo synon të mbrojë vendet e eurozonës që rrezikojnë më tepër, si Italia, dhe Spanja, borxhet e të cilave janë shumë më të larta se ato të vendeve që tashmë kanë marrë ndihmë. Ndërkohë, grevistët në Spanjë kanë protestuar këto ditë kundër shkurtimeve buxhetore dhe papunësisë masive.

Grevistët u mblodhën para bizneseve të ndryshme, bankave dhe pikave të transportit me pankarta në duar. Anëtarët e sindikatave kishin zgjedhur Tregun Qendror të Madridit për protestën e tyre. Një prej tyre ishte Regino Martin:

Ai thotë se po përpiqet të bindë njerëzit të hidhen në grevë kundër reformave dhe politikave qeveritare. Qeveria e re konservatore ka propozuar një rregullore të re për punësimin, që e bën më të lehtë dhe ul koston e pushimit nga puna të punonjësve, si dhe shkurton pagat.

Spanja ka qenë nën presionin e Bashkimit Evropian dhe investitorëve ndërkombëtarë për të shkurtuar shpenzimet. Spanja është një ndër disa vende evropiane që janë nën presion për të marrë masa shtrënguese. Në Evropë, rritja e taksave dhe shkurtimet buxhetore janë përcjellë me protesta publike.

Simon Tilford është krye-ekonomist në Qendrën për Reforma Evropiane në Londër. Ai thotë se masat shtrënguese në Spanjë, ashtu si në vende të tjera, nuk do të zgjidhin problemet ekonomike:

"Një ndër elementët më shqetësues në gjithë këto zhvillime është se nuk kemi mësuar sa duhet nga përvoja e Greqisë, Irlandës dhe Portugalisë. Por e njëjta strategji po ndiqet edhe në Spanjë. Tani një rrezik i madh për Eurozonën është fakti që Spanja është dy herë më e madhe se të tria këto ekonomi të marra së bashku. Pra nëse Spanja përfshihet nga të njëjtat probleme, nuk do të jetë problem vetëm për spanjollët, por edhe një kërcënim ekzistencial për monedhën euro”.

Zoti Tilford thotë se shkurtimet buxhetore po rezultojnë vetëm në tkurrjen dhe jo në rritjen e ekonomive të Eurozonës. Ai thotë se nevojitet një integrim më i madh në Bashkimin Evropian me një buxhet federal që do të mundësonte lëvizjen më të lehtë të burimeve mes vendeve të Eurozonës. Kjo është zgjidhja më e mirë, thotë ai, por aktualisht duket thuajse e parealizueshme:

"Nuk ka një vullnet politik për të realizuar masat e nevojshme për të stabilizuar situatën brenda Eurozonës. Kjo nuk do të thotë se nuk do të shohim ndryshime të mëdha institucionale në të ardhmen; ka gjasa që të ketë ndryshime të tilla. Por ka gjithashtu gjasa që kriza aktuale të minojë solidaritetin mes vendeve, gjë që mund të bëhet pengesë për ndryshimet që nevojiten për ta stabilizuar monedhën e përbashkët”.

XS
SM
MD
LG