Lidhje

Borxhi i Spanjës arrin nivel rekord


Qeveria tha se borxhi publik arriti më shumë se 1.2 trilion dollarë në muajt e parë të këtij viti, nivel shumë më i lartë se sa një vit më parë

Spanja thotë se borxhi i saj ka arritur një nivel rekord, ndërkohë që vendi përpiqet të shpëtojë nga recesioni dhe papunësia e lartë.

Qeveria spanjolle tha sot se borxhi publik arriti më shumë se 1.2 trilion dollarë në muajt e parë të këtij viti, nivel shumë më i lartë se sa një vit më parë, duke kapur 88 për qind të prodhimit ekonomik të vendit.

Ndërkohë, firma e shërbimeve financiare Standard & Poor e la vlerësimin e kreditit të Spanjës të pandryshuar, vetëm një pikë më lart se gjendja e ashtuquajtur "junk bond", me një opinion negativ, që do të thotë se vitin e ardhshëm obligacionet qeveritare spanjolle mund të humbasin fare në vlerë.

Spanja, me ekonominë e katërt më të madhe në eurozonën prej 17-vendesh, parashikon që ekonomia e saj të tkurret me 1.5 për qind këtë vit përpara se të shënojë një rritje modeste vitin e ardhshëm.

Kryeministri Mariano Rajoy ka drejtuar përpjekjet për zbatimin e masave shtrënguese për shkurtimin e borxhit, por niveli i papunësisë vetëm sa është rritur. Më shumë se një e katërta e fuqisë punëtore të vendit është e papunë.

XS
SM
MD
LG