Lidhje

Majori shqiptar në trafik droge


Instruktori i bazës ajrore të Farkës në Tiranë, Sokol Feka, dyshohet të ketë mbetur i vdekur në Spanjë ku dje është rrëzuar një helikopter i cili transportonte sasira të mëdha marijuhanë. Feka ishte në radhët e ushtrisë prej 18 vitesh

Një major i ushtrisë shqiptare, dyshohet të jetë i përfshirë në një trafik droge. Instruktori i bazës ajrore të Farkës, Sokol Feka, rezulton të jetë, sipas të dhënave të deritanishme, një nga dy personat që kanë humbur jetën dje në Spanjën jugore, ndërsa një helikopter i cili transportonte sasi të mëdha marijuhanë nga Maroku, ka rënë pasi është përplasur me një shtyllë elektrike. Helikopteri i cili mendohet se drejtohej nga Feka, po ndiqej nga një tjetër mjet ajror i Guardia Civil spanjolle.

Lajmi është bërë nga kryeministri Edi Rama në sallën e parlamentit, i cili tha se njoftimi kishte mbërritur në rrugë zyrtare nga Spanja. Ushtaraku Feka ishte që prej 18 vitesh pjestar i forcave të armatosura të Shqipërisë, dhe në vitin 2009 ai kishte marrë gradën major. Ministria e Mbrojtjes njoftoi se majori ishte me leje të zakonshme që prej datës 12 janar, por se ai nuk kishte njoftuar, sikundër kërkon rregullorja, se do të dilte jashtë vendit. Ministria saktësoi më tej se i ka kërkuar policisë të verifikojë hyrje daljet e tij në kufi.

Për momentin mbetet ende e paqartë se si ushtaraku shqiptar ishte përfshirë në një aktivitet të tillë, ndërsa rasti nuk kaloi pa replika edhe gjatë seancës së parlamentit. Nga ana e tij, përmes një statusi në Facebook, kryetari i opozitës Lulzim Basha, deklaroi se sipas tij “përfshirja e efektivit të Forcave të armatosura në trafikun ndërkombëtar të drogës, ashtu si avionët e drogës një vit më parë në aeroportin ushtarak të Gjadrit, njollosin rëndë emrin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG