Lidhje

Spanjollët nën ligjin e ri për kufizimin e duhanit


Spanjollët nën ligjin e ri për kufizimin e duhanit
Spanjollët nën ligjin e ri për kufizimin e duhanit

Më 2 janar, në Spanjë hyri në fuqi një prej regjimeve më të shtrënguara për ndalimin e duhanit. Por, si e kanë përjetuar spanjollët realitetin e ri? Në këtë vend me famë për jetën e natës, baret e tapave dhe restorantet luksoze, rregullat e reja kanë rezultuar në reagime të përziera:

Spanjollët ende tymosin, por që nga 2 janari, liria për të ndezur një cigare apo puro ku të duan, është kushtëzuar. Spanja kishte edhe më parë rregulla për të kufizuar duhanin në mjedise publike. Por tani duhani ndalohet edhe në mjedise të hapura, si në oborret e shkollave apo spitaleve apo në parqe lojërash për fëmijët.

Por ajo që i shqetëson më së shumti spanjollët është ndalimi i duhanit në klube, apo restorante, në këtë vend të njohur për jetën e natës. Federata kryesore spanjolle e restoranteve dhe bareve parashikonte që ligji do të shkaktonte mbylljen e 145 mijë vendeve të punës dhe një ulje prej 10 për qind të të ardhurave për këtë sektor. Por ministria e shëndetësisë argumenton se ligje të ngjashme në vende të tjera evropiane, përfshirë Britaninë, Francën dhe Italinë, nuk patën ndikim të ndjeshëm tek biznesi.

Autoritetet spanjolle janë të vendosura për të garantuar respektimin e ligjit me çdo kusht. Shkelje të vogla të ligjit ndëshkohen me një gjobë nga 30-600 euro. Ndërsa ato shkelje që konsiderohen të rënda mund të ndëshkohen me 10,000 – 600,000 euro.

Evaristo Noney dhe Lidia Garcia janë një çift nga Barcelona dhe shprehen të irrituar dhe të kufizuar nga ligji i ri.

"Mendoj se ne duhanxhinjtë duhet të kemi të drejtën të ndezim një cigare pasi hamë darkë në një restorant, për sa kohë që nuk bezdisim klientët që nuk pinë duhan,” thotë Evaristo Noney.

Lidia Garcia thotë se do të donte që në restorante dhe klube të kishte një seksion të veçantë të rezervuar për pirjen e duhanit.

Shumë qeveri evropiane e kanë lejuar një hapësirë të tillë për klientët e tyre, por Spanja që njihej si një ndër vendet me ligjet më të buta kundër duhanit, duket se ka zgjedhur rrugën më radikale për ta tejkaluar këtë reputacion. Më parë, me ligjin e vitit 2006, Spanja u jepte restoranteve apo klubeve të drejtën të vendosnin nëse do të lejonin apo jo pirjen e duhanit në biznesin e tyre. Aktivistët kundër duhanit e deklaruan ligjin e 2006 të dështuar. Por me ligjin e ri, Spanja bëhet një ndër vendet me rregulloret më të forta kundër duhanit. Ndryshe nga vende të tjera evropiane, tani në Spanjë nuk ka më restorante apo klube ku të ketë seksion për duhan-pirësit brenda.

Doktor Manel Santinia kryeson programin për ndalimin e duhanit në klinikën spitalore të Katalonias. Ai e konsideron ligjin e ri, një përmirësim të ndjeshëm:

"Shpresojmë që ligji i ri do të jetë shumë më efektiv. Ka gjithmonë një pjesë të popullatëst që është më rezistente ndaj ndalimit të duhanit, pavarësisht sa të forta janë ligjet. Por sa më shumë pengesa krijohen, aq më të lehtë do ta kenë njerëzit ta lënë duhanin”.

Pirja e duhanit do të vazhdojë në disa biznese, me një numër kufizimesh. Hotelet lejohen në mbajnë 30 për qind të kapacitetit të tyre për duhan-pirësit. Ligji po ashtu lejon ekzistencën e klubeve private për pirje duhani, por në mjediset e tyre nuk lejohet futja e fëmijëve, nuk lejohet ngrënia, pijet alkoolike apo shitja e cigareve.

XS
SM
MD
LG