Lidhje

Kosovë: Opozita i drejtohet Kushtetueses kundër Gjykatës së Posaçme

  • Leonat Shehu

Përfaqësuesit e tri partive politike në opozitë kanë dërguar sot një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar nëse amendamentet kushtetuese për themelimin e gjykatës së Posaçme janë në pajtim me Kushtetutën.

Përfaqësuesit e opozitës thanë se themelimi i kësaj gjykate paraqet edhe shkelje të sovranitetit të Kosovës.

Albulena Haxhiu nga lëvizja Vetëvendosje tha se parlamenti ka miratuar amendamentet kushtetuese pa i përfillur procedurat ligjore kushtetuese.

“Ky amendament është dashur që fillimisht të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese për tu vlerësuar nëse i njëjti pakëson të drejtat e njeriut dhe për shkak të aspektit përmbajtës sepse i njëjti amendament e suspendon në tërësi kushtetutën e Kosovës sepse në fillim të këtij amendamenti thuhet se pavarësisht dispozitave të kësaj kushtetute. Pra nuk mund të thuhet që i njëjti amendament është në përputhje me kushtetutën për sa kohë vet fillimi i amendamentit tregon që ky amendament e suspendon kushtetutën e Kosovës. Krijon sistem paralel, pra cenim të sovranitetit të Republikës së Kosovës dhe konkretisht bie ndesh me kapitujt një, dy, katër, pesë, shtatë dhe dymbëdhjetë”, tha zonja Haxhiu.

Kërkesa e partive opozitare, pason votimin e një jave më parë të parlamentit të Kosovës ku me 82 vota miratoi ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë themelimit të gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për krime lufte.

Me gjithë kundërshtimin e partive opozitare, miratimi i ndryshimeve kushtetuese dhe ligjit për ngritjen e gjykatës së posaçme nga parlamenti i Kosovës, nga diplomacia euro perëndimore është vlerësuar si një hap me rëndësi për të ardhme e shtetit të ri.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës. Miratimi i gjykatës hap rrugën për fillimin e negociatave ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Holandës ku pritet të jetë selia e gjykatës, e cila do të funksionojë në bazë të ligjeve të Kosovës, por do të drejtohet në tërësi nga gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë.

XS
SM
MD
LG