Lidhje

Filmi “Spectre”, varianti më i ri i Agjentit 007


Në filmin “Spectre”, të regjisorit të njohur Sam Mendes, agjenti sekret James Bond ndiqet nga fantazmat e së kaluarës. Gjatë operacionit të tij të fundit, Skyfall, armiqtë i shkatërruan shtëpinë prindërore dhe vranë ish-eproren “M”. Në filmin e ri 007-ta është më modest dhe më mendimtar, por jo më pak i paepur në përballjen me sfidën e tij më të fundit: goditjen e kartelit ndërkombëtar të krimit, të quajtur "Spectre" – Fantazma.

Filmi "Spectre" - Agjenti 007
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:32 0:00

Bond kalon në ilegalitet për të gjurmuar udhëheqësin e një organizate të errët të quajtur “Spectre”. Pas suksesit të jashtëzakonshëm prej 1.1 miliardë dollarësh fitimesh të filmit të mëparshëm Skyfall, prodhimi i filmit më të ri për ekranin e madh kushtoi 200 milionë dollarë.

Me një makinë të re Aston Martin DB10, të prodhuar posaçërisht për filmin, ai bën ndjekje në rrugët e Romës. Përveç makinës tradicionale të filmave 007, ai gjithashtu vazhdon të përndiqet nga zoti Hinx, një kundërshtar dy metra i gjatë që risjell në kujtesë vrasësin e quajtur Jaws në filmin 007 të vitit 1977.

Të gjitha skenat me aksion janë reale, të xhiruara që nga Austria e deri në Meksikë. Aktori Daniel Craig është ngjitur vërtet në çatitë e godinave të qytetit Meksiko dhe helikopterët që fluturojnë mbi të janë gjithashtu realë. Në skenat e festivalit në rrugë janë angazhuar mbi një mijë personazhe me kostume të veçanta.

Një shpërthim gjigand trondit shkretërirën e Saharasë, duke shënuar fillimin e historisë së mistershme dhe takimin e James Bondit me armikun e tij Oberhauser, të luajtur nga aktori Christoph Waltz.

Oberhauser ka mbyllur operacionin 007, duke financuar krijimin e një agjencie që mbledh të dhëna nga teknologjia e kudondodhur.

Agjentët e tij kanë infiltruar në qeverinë britanike dhe kanë realizuar zëvendësimin e programit 007 me teknologjinë e mbledhjes së informacionit dixhital.

Skenari është një paralajmërim për survejimin e gjithanshëm dhe se çfarë ndodh kur të dhënat masive bien në duart e gabuara.

Si në çdo film tjetër 007, romanca është e domosdoshme. Aktorja Lea Seydoux luan në rolin e Madeleine Swann-it, me të cilën flirton agjenti Bond. Por, afrimiteti i tij i vërtetë ndodh me femrën joshëse Dona Lucia, e veja e një mafiozi, e luajtur nga Monica Belucci.

Sikurse filmat e mëparshëm me James Bond-in, edhe filmi “Spectre” përmban skena mahnitëse aksioni që garantojnë suksesin në tregun kinematografik.

XS
SM
MD
LG