Lidhje

Fëmijët me difekte në zemër, trajtim në Shqipëri dhe Itali


Zv/ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia, sapo ka nënshkruar një marrëveshje me Institutin italian “Xhanina Gaslini” për të kuruar falas çdo vit 10 fëmijë

Shqipëria po merr masa që të mjekojë zemrat me probleme tek fëmijët e sapolindur dyjavësh. Difektet e lindura të zemrës po shtohen përherë e më shumë dhe po zënë vend kryesor në listën e sëmundjeve të fëmijëve.

Kardiopediatre Numila Kuneshka në qendrën spitalore “Nënë Tereza thotë se çdo vit “këtu vijnë mbi 300 fëmijë nga Shqipëria me probleme të lindura zemre, e po ashtu vijnë shumë edhe nga Kosova. Një pjesë e madhe e këtyre difekteve diagnoztikohen dhe operohen me shumë sukses në Shqipëri”.



Zëvendësministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia, sapo ka nënshkruar një marrëveshje me Institutin italian “Xhanina Gaslini” për të kuruar çdo vit 10 fëmijë falas me probleme të rënda të zemrës, dhe çdo fëmijë tjetër shqiptar me 30 për qind ulje çmimesh. Zoti Spahia thotë se “operacionet e lehta i bëjnë kirurgët te nënë tereza, ndërsa rastet e vështira do të dërgohen në Itali, falë kësaj marrëveshjeje”.

Operacionet në zemrat e fëmijëve të lindura me probleme janë tashmë një procedurë e zakonshme në spitalin “Nënë Tereza”. Besnik Ejupi nga Ferizaj i Kosovës thotë se “kam sjellë djalin në Tiranë dhe e ka operuar për të hequr një difekt të lindur në zemër, i cili nuk mund të kryhej në Prishtinë, ndërsa në europë është shumë shtrenjtë”.

Prej më shumë se dy vjetësh në Shqipëri vepron edhe një shoqatë e prindërve me fëmijët e mjekuar nga probleme të lindura në zemër. Agim Baçi, drejtuesi i tyre, i ka operuar me sukses të dy djemtë e tij. Ai thotë se “këto probleme duhen zbuluar sa më parë që të operohen lehtë”.

Shoqata e prindërve e ka shqetësim kryesor zbulimin e fëmijëve me probleme zemre. Çdo vit zbulohen 300 fëmijë të rinj me probleme të lindura në zemër dhe operohen rreth 170 prej tyre. Por, çfarë ndodh me gjysmën tjetër që nuk operohet dhe çfarë ndodh me mijëra të tjerë që nuk janë kontrolluar fare? Prandaj, prindërit po përpiqen që të futin në ligj një nen për kontroll të detyruar të zemrës brenda dy muajve për gjithë fëmijët e sapolindur.
XS
SM
MD
LG