Lidhje

SHBA: Strategji e re ndaj piraterisë kibernetike


Shtetet e Bashkuara po zbulojnë një strategji të re për të përballuar “rritjen dramatike” të kërcënimeve që përbëjnë piratët e internetit dhe spiunazhi kibernetik.

Prokurori i Përgjithshëm, Eric Holder, shpjegoi praktikën e re në një konferencë shtypi të mërkurën, duke paralajmëruar se teknologjia e avancuar po e bën më të lehtë për individët dhe vendet të godasin Shtetet e Bashkuara.

Zoti Holder tha se Departamenti i Drejtësisë po lufton agresivisht, duke bashkëpunuar me shtete të ndryshme dhe me agjenci qeveritare për të gjetur dhe ndëshkuar ata që merren me piraterinë dhe spiunazhin kibernetik. Ai bëri gjithashtu thirrje për shtimin e bashkëpunimit me kompanitë private.

Strategjia e re parashikon gjithashtu edhe aplikimin e gjobave dhe masave tregtare kundër individëve ose vendeve që venë në shënjestër sekretet tregtare të Shteteve të Bashkuara. Disa ligjvënës amerikanë llogarisin se kompanitë amerikane kanë humbur më shumë se 300 miliardë dollarë vitin e kaluar nga vjedhja e sekreteve, shumica të mara nga agjentë kinezë të kibernetikës.

Ky njoftim bëhet një ditë pasi një firmë e sigurimit kibernetik në Shtetet e Bashkuara publikoi një raport që lidh një njësi sekrete ushtarake të Kinës me sulmet kibernetike kundër kompanive amerikane për disa vjet radhazi. Mandiant tha se grupi kishte ndërmarrë rreth 150 sulme nga më të ndryshimet kundër kompanive amerikane që nga viti 2006.

Ministria kineze e Mbrojtjes e kritikoi raportin e firmës Mandiant, duke thënë se “nuk është i bazuar në fakte” dhe se “i mungojnë provat teknike”.

XS
SM
MD
LG