Lidhje

Komuniteti boshnjak në Seint Luis kujton masakrën e Srebrenicës


Shumë nga pjesëtarët e këtij komuniteti u vendosën këtu pasi u larguan nga Bosnja për t’i shpëtuar konfliktit

Përvjetori i masakrës së Srebrenicës kujtohet edhe nga imigrantët boshnjakë me banim në Shtetet e Bashkuara. Konflikti detyroi mijëra vetë të kërkojnë strehim në Amerikë. Një ndër përqëndrimet më të mëdha të boshnjako-amerikanëve është në Seint Luis të Mizurit, ku përvjetori i masakrës zgjon shumë kujtime të dhimbshme:

Qindra boshnjakë u mblodhën në një ceremoni fetare në Seint Luis të Mizurit, për të përkujtuar viktimat e masakrës më të rëndë të kryer në Evropë që pas Luftës së Dytë Botërore.

Me këngë e me lutje, imigrantët kujtuan ata mijëra burra dhe djem të vrarë gjatë luftës etnike të Bosnjes. Shumë nga pjesëmarrësit në ceremoni ishin fëmijë kur u larguan për t’i shpëtuar konfliktit. Ka të tjerë si 16-vjeçarja Sumejja Sabiç, që e njohin këtë histori thjesht nga rrëfimet e të afërmve:

“Kam ardhur për të kujtuar viktimat. Disa prej tyre ishin të afërm të babait. Im atë luftoi në atë konflikt dhe ishte shumë me fat që shpëtoi gjallë”.

Përllogaritet që shumë prej 70 mijë boshnjakëve që jetojnë në Seint Luis janë prekur në një mënyrë ose tjetër nga lufta. Disa, si studenti Kenan Sahbaz, shpëtuan me vështirësi. Ai tregon se familja e tij u largua nga qyteti Jelec, një natë pasi forcat serbe të Bosnjës t’i vinin zjarrin fshatit. Ai ishte pesë vjeç kur erdhi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1995.

“Karaxhiçin dhe Mlladiçin, kur i sheh në gjyqe, duket sikur nuk duan t’ia dinë. Dhe në fakt nuk duan t’ia dinë. Bota po e zgjat shumë procesin e marrjes së vendimit për gjenocidin që krye ndaj kësaj popullate. Edhe në rastin e Millosheviçit, gjyqi i tij vazhdoi pafundësisht dhe ai vdiq pa dëgjuar vendimin”.

Procesi i gjykimit të të akuzuarve për gjenocid dhe krime lufte në Hagë i ka lënë shumë boshnjakë të zhgënjyer dhe me shpresa të venitura se do të shohin vënien në vend të drejtësisë nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte.

Përvjetoret janë veçanërishtë të rënda për ata boshnjakë që kanë humbur njerëz të afërm. Nurija Omeroviç ishte në Srebrenicë kur u futën forcat serbe të Bosnjës. Ai u detyrua të ecte më këmbë 160 kilometra përmes pyllit për të arritur në Tuzla ku ishte i sigurtë. Ai nuk e pa kurrë më vajzën që ishte foshnje në atë kohë. Trupi i saj nuk është gjetur ende. Nurija tregon se serbët i vranë të gjithë meshkujt e familjes së të shoqes:

“Kjo është familja ime, është historia ime. Unë shpëtova gjallë, por shumë të afërm të mi nuk arritën të shpëtonin. Kam ardhur këtu për të ndërtuar një jetë të re, por nuk do t’i harroj dot ato që i ndodhën familjes sime”.

Ka plot të tjerë si Nurija, të cilët ikën për t’i shpëtuar konfliktit dhe kanë krijuar tani një komunitet të vogël dhe vital në Seint Luis të Mizurit. Në një nga rrugët me përqëndrimin më të madh të bizneseve boshnjake ka plot pastiçeri, bare, kafene e dyqane ushqimore që i shërbejnë komunitetet boshnjak. Pjesëtarët e komunitetit kanë gjetur edhe mënyra të tjera për të forcuar lidhjet mes tyre. Çdo verë ata organizojnë një kampionat futbolli për të grumbulluar fonde dhe për të kujtuar viktimat. Kampionati sjell në Seint Luis imigrantë boshnjakë nga të gjithë Shtetet e Bashkuara. Fondet që grumbullohen përdoren si bursa studimesh për fëmijët që mbetën jetimë nga lufta. Është një mënyrë pozitive që ka gjetur ky komunitet për të festuar jetën e tyre në Amerikë, pas tragjedisë së 17 vjetëve më parë.
XS
SM
MD
LG