Lidhje

Stabiliteti i Irakut pas tërheqjes amerikane

  • Luis Ramirez

Stabiliteti i Irakut pas tërheqjes amerikane

Stabiliteti i Irakut pas tërheqjes amerikane

Forcat amerikane janë drejt rrugës së tërheqjes nga Iraku në fund të vitit. Numri i viktimave nga rradhët e trupave amerikane ishte zero muajin e kaluar, për herë të parë që nga ndërhyrja amerikane në vitin 2003. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Luis Ramirez mbeten ende pikëpyetje sesa i qëndrueshëm do të jetë Iraku pas tërheqjes së trupava amerikane.

Gushti ishte muaji me më pak viktima nga rradhët e forcave amerikane në Irak në tetë vjet. Për Pentagonin, ky është një tregues se vendi është më i sigurtë sesa më parë. Për irakianët, disa shpërthime me bombë gjatë javëve të fundit kanë mbajtur gjallë frikën se dhuna nuk është larguar.

47 mijë trupa ende në Irak do të largohen deri më 31 dhjetor në bazë të marrëveshjes së vitit 2008 mes Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë irakiane.

Zyrtarët e ushtrisë amerikane janë përqëndruar në stërvitjen e forcave irakiane dhe ata thonë se gjithçka po ecën sipas planit për tërheqje në fund të vitit. Një komandant amerikan në Irak, koloneli Brian Winski, thotë se ushtarët e tij në provincën Nineveh në veri, po përgatisin irakianët të stërvisin vetë trupat e tyre.

“Në se çdo gjë shkon sipas planit dhe trupat amerikane largohen në më pak se katër muaj, kam besim se forcat irakiane do të jenë të përgatitura”.

Ndërsa gushti ishte një muaj i mirë për forcat amerikane, për irakianët javët e fundit kanë sjellë një rritje të dhunës sektare – përfshi shpërthimin në një xhami suni në Bagdat gjatë Ramazanit që vrau 29 persona. Zyrtarët irakianë thanë se 155 persona u vranë në sulme gjatë gushtit.

Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Iranin për mbështetjen e grupeve shiite dhe ka shqetësime se Teherani mund të shtojë aktivitetet e tij në Irak pas largimit të forcave amerikane. Në të njëjtën kohë, kryengritësit suni vazhdojnë sulmet e tyre mbi forcat irakiane të sigurisë dhe civilët.

John Pike është drejtor i Globalsecurity.org, një faqe elektronike me informacion ushtarak. Ai thotë se ka ende mjaft potencial për përshkallëzimin e dhunës sektare.

“Iraku është një demokraci e re dhe do t’i duhet një farë kohe për të mësuar si funksionon ajo. Fatkeqësisht, fraksionet atje janë të ndara në mënyrë të barabartë dhe do të jetë patjetër e vështirë për një numër arsyesh dhe kryesorja është që të gjitha fraksionet kërkojnë ndihmën e fuqive të tjera nga jashtë, si Irani apo Shtetet e Bashkuara”.

Disa irakianë thonë se ndiheshin më të sigurtë gjatë kohës së Sadam Huseinit, kur diktatori ishte i përqëndruar për të sulmuar kundërshtarët e tij dhe njerëzit e thjeshtë nuk kishin frikën e përfshirjes në luftime sektare.

Michael O’Hanlon është analist i mbrojtjes në institutin Brookings. Ai thotë se dhuna sot, megjithëse shqetësuese përfaqëson një përmirësim të ndjeshëm nga periudha katër vjet më parë, në kulmin e konfliktit. Ai thotë se me heqjen e Sadam Huseinit dhe me vendosjen e një farë stabiliteti në Irak, e ardhmja tani varet nga vetë irakianët.

“Edhe pse është shpejt të thuhet nëse vendimi për të përmbysur Sadamin ja vlnte, mendoj se mund të gjykojmë se misioni ushtarak ka qënë një sukses deri në këtë pikë. Me këtë dua të them se në se irakianët dështojnë tani, kjo nuk do të jetë për shkak të dështimit të ushtrisë amerikane apo koalicionit ndërkombëtar. Ata kanë bërë cështë e mundur”.

Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për një tërheqje të plotë deri më 31 dhjetor, por thonë se mund ta zgjasin prezencën e disa trupave – në se udhëheqësit irakianë e kërkojnë një gjë të tillë.




XS
SM
MD
LG