Lidhje

Stamboll: Konferenca "Miqtë e Sirisë" premton ndihmë për disidentët


Turkey Syria Diplomacy
Turkey Syria Diplomacy

Delegatët në një konferencë ndërkombëtare për të mbështetur kryengritjen e opozitës në Siri, thonë se disa shtete të Gjirit kanë rënë dakord për të paguar rrogat e disidentëve që përpiqen të rrëzojnë Presidentin sirian Bashar al-Assad.

Pjesëmarrësit në konferencën "Miqtë e Sirisë", që u mbajt sot në Stamboll, thanë se grupi i vogël i vendeve të Gjirit do t’i japë miliona dollarë Këshillit Kombëtar të opozitës për të paguar pagat e disidentëve. Disa delegatë që folën me kusht që të mos identifikoheshin, thanë se kjo masë ka për qëllim të inkurajojë sa më shumë pjestarë të ushtrisë së zotit Asad të kalojnë në anën e grupeve opozitare që udhëheqësin kryengritjen.

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton tha në konferencë se Uashingtoni po siguron pajisje komunikimi për aktivistët e opozitës në Siri, për t’i ndihmuar ata të organizohen, të mbajnë kontakt me botën e jashtme dhe t’u shmangen sulmeve të qeverisë.

Zonja Klinton tha se Shtetet e Bashkuara gjithashtu janë duke krijuar një program për dokumentimin e mizorive të kryera gjatë masave të dhunshme të ndërmarra nga zoti Asad kundër revoltës. Ajo tha se programi do t’u japë mundësi sirianëve të identifikojnë autorët e abuzimeve dhe të ruajnë provat për hetimet dhe ndjekjet ligjore në të ardhmen.

Diplomatja e lartë njoftoi gjithashtu dyfishimin e ndihmave humanitare amerikane për sirianët e prekur nga konflikti dhe u bëri thirrje më shumë se 60 vendeve pjesëmarrëse në konferencë për të forcuar sanksionet mbi qeverinë siriane. Ajo paralajmëroi zotin Asad se duhet të ndalë vrasjet e qytetarëve përndryshe do të përballet me pasoja të rënda.

XS
SM
MD
LG