Lidhje

Standard & Poors paralajmëron eurozonën

  • Zëri Amerikës

Standard & Poors paralajmëron eurozonën

Standard & Poors paralajmëron eurozonën

Tregjet e aksioneve në Evropë pësuan sot rënie pas paralajmërimit të agjencisë Standard & Poors se mund ta ulë klasifikimin e kreditit për vendet e eurozonës, përfshirë edhe Gjermaninë. Paralajmërimi vjen në prag të takimit të nivelit të lartë që udhëheqësit evropianë do të mbajnë të premten lidhur me rrugët për zgjidhjen e krizës së borxhit që kërcënon monedhën e përbashkët, euron.

Agjencia Standard & Poors bëri një paralajmërim të pashembullt, duke thënë se mund të ulë klasifikimin e kreditit për 15 nga të 17 vendet e Eurozonës, nëse udhëheqësit evropianë nuk bien dakord për një zgjidhje të besueshme të krizës së borxhit.

Në grupin që përballet me ulje të klasifikimit përfshihen edhe Gjermania dhe Franca, gjë që nënkupton se edhe këto dy vende mund ta humbasin klasifikimin 3A, më të lartin e mundshëm. Pa një klasifikim të tillë, këto dy vende do ta kishin të pamundur të siguronin fonde të mjaftueshme për të nxjerrë nga kriza e borxhit vendet më të dobëta.

Në këtë grup nuk përfshihet Qiproja, bonot e së cilës janë pothuajse pa vlerë, si dhe Greqia, klasifikimi i së cilës është tashmë tepër i ulët, gjë që nënkupton se ajo shumë shpejt mund të mos jetë në gjendje të paguajë këstin e borxhit.

Moritz Kramer, Drejtor Menaxhues në firmën Standard & Poors për kreditin evropian e justifikoi kështu paralajmërimin:

"Mendojmë se kriza financiare që shikojmë në eurozonë nuk është më një krizë e vendeve të veçanta periferike, por është përhapur në disa nga shtetet kryesore dhe institucionet financiare kryesore të këtyre vendeve."

Në një takim që mbajtën dje, presidenti francez, Nikola Sarkozi dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, diskutuan rreth disa ndryshimeve të gjera në traktatin e Bashkimit Evropian, duke përfshirë vënien e një gjobe çdo qeverie që lejon deficitin e saj të kapërcejë tre përqind të prodhimit të përgjithshëm kombëtar. Kjo gjobë do të ishte automatike nëse nuk kundërshtohet nga një shumicë vendesh, klauzolë kjo që është kritikuar ashpër nga analistët.

Propozimi franko-gjerman për kontrollin e buxheteve do të diskutohet në takimin e nivelit të lartë të udhëheqësve të BE-së të enjten dhe të premten, për të zgjidhur krizën e borxhit, e cila është aq e rëndë saqë kërcënon monedhën e përbashkët, euron.

Firma Standard & Poors thotë se do ta përfundojë analizën e saj "sa më shpejt të jetë e mundur" pas takimit të nivelit të lartë.

XS
SM
MD
LG