Lidhje

DASH: Kosova ka bashkëpunuar në luftë kundër terrorizmit


DASH: Kosova ka bashkëpunuar në luftë kundër terrorizmit
DASH: Kosova ka bashkëpunuar në luftë kundër terrorizmit

Në raportin vjetor për luftën kundër terrorizmit në botë, thuhet se gjatë vitit 2009, qeveria e Kosovës ka bashkëpunuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara në luftën kundër terrorizmit.

Në raport thuhet se Kosova nuk ka pasur raste të drejtpërdrejta terrorizmi, megjithëse ekstremistë islamikë ishin të përfshirë në vepra terroriste brenda dhe jashtë vendit. Kufijtë e pakontrolluar mirë, thuhet në raport,ka bërë që të hyjnë individë të përfshirë në trafikimin e njerëzve, armëve dhe narkotikëve, duke dëmtuar përpjekjet e Kosovës kundër terrorizmit. Megjithatë, Ministria e Brendshme ka bërë disa përparime modeste në përmirësimin e kontrollit të kufijve, thuhet në raport.

Qeveria dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Policinë e Drejtësinë kanë mbikëqyrur gjatë gjithë vitit aktivitete që dyshohet të jenë terroriste. Qeveria është përpjekur t’i parandalojë ekstremistët që të përdorin Organizatat Joqeveritare për të fituar terren në Kosovë. Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe EULEX-i dyshojnë se disa nga shumë organizatat islamike joqeveritare që veprojnë në Kosovë, ishin të përfshira në aktivitete të dyshimta terroriste, në veçanti në pastrimin e parave për veprime terroriste në Lindjen e Mesme.

Policia e Kosovës dhe Njësia Kundër Terrorizmit e EULEX-it janë përgjegjëset kryesore në luftën kundër terrorizmit. Të dyja këto struktura vazhdojnë të përballen me mungesë burimesh, stërvitjesh dhe ekspertize. Ato janë të fokusuara në parandalimin e sulmeve terroriste dhe aftësimin e pajisjen e oficerëve.

Më 23 shtator, Qeveria e Kosovës u dorëzoi Shteteve të Bashkuara Betim Kaziun, qytetar amerikan. Më 24 shtator, një gjykatë në Nju Jork ka akuzuar Kaziun për përfshirje në konspiracion për të vrarë në një vend të huaj, si dhe për furnizim me materiale mbështetëse për terroristët. Kaziu ka udhëtuar në Pakistan, ku është stërvitur për aktivitete të dhunshme, si dhe është përpjekur t’i bashkohet al-Shabab - it, një organizatë terroriste që vepron në Somali. Përveç kësaj, Kaziu u përpoq të udhëtonte në Afganistan, Irak dhe Ballkan, për të luftuar kundër forcave të armatosura amerikane. Kaziu udhëtoi për në Kosovë, ku u arrestua nga forcat e rendit dhe ligjit në Kosovë në muajin gusht.

Më 27 korrik, agjentët e FBI-së, arrestuan Hysen Sherifin së bashku me gjashtë persona të tjerë që përgatiteshin për akte terrorizmi. Sherifi akuzohet për një mori veprash penale që kanë lidhje me konspiracionin. Si pjesë e këtyre planeve, Sherifi udhëtoi në Kosovë në korrik të vitit 2008, për t’u përfshirë në aktivitete ekstremistë. Ai u kthye në prill për të krijuar mbështetje për muxhahedinët. Sherifi dhe të tjerët janë arrestuar përpara se të kryenin ndonjë akt terrorist.

XS
SM
MD
LG