Lidhje

Çështjet e brendshme në qendër të fjalimit të presidentit Obama

  • Dan Robinson

Presidenti Barak Obama do të mbajë të martën fjalimin e përvitshëm para Kongresit mbi gjendjen e vendit. Ky do të jetë fjalimi i parë i presidentit mbi gjendjen e vendit në mandatin e tij të dytë. Fjalimi do të mbahet në një sesion të përbashkët të dy dhomave të Kongresit dhe do të shikohet nga miliona njerëz në mbarë vendin dhe në mbarë botën.

Në fjalimin e tij të parë në Kongres në vitin 2009, zoti Obama kishte për synim të frymëzonte besim në mes të krizës më të rëndë financiare që nga Depresioni i Madh.

“Edhe pse ne jemi duke jetuar nëpër kohë të vështira dhe të pasigurta, sonte çdo amerikan duhet ta dijë këtë. Ne do të rindërtohemi, do të rimëkëmbemi, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të dalin nga kjo krizë më të fortë se më parë”.

Që atëherë, ai ka shfrytëzuar këto fjalime për të folur rreth ngjarjeve që kanë tronditur vendin, si vrasjet masive me armë zjarri.

Tani, i fuqizuar nga rizgjedhja e tij, ai po i kërkon Kongresit të forcojë ligjet për kontrollin e armëve dhe të miratojë reformën e imigracionit. James Carafano punon për organizatën konservatore Fondacioni Heritage.

“Natyrisht imigracioni do të jetë një çështje e madhe, kontrolli armëve dhe dhuna nga armët janë çështje të mëdha, ai do të flasë edhe për çështjen e pazgjidhur të buxhetit”.

Pakësimi i deficitit dhe shkurtimet e shpenzimeve qeveritare, për të cilat Kongresi ka vendosur 1 marsin si afat për arritjen e një marrëveshje, ka të ngjarë të theksohen në fjalimin e presidentit.

Por John Sides i Universitetit George Washington thotë se zoti Obama duhet të gjejë një ekuilibër mes përparimit ekonomik dhe vështirësive të vazhdueshme të shumë amerikanëve.

“Ekonomia është duke u përmirësuar, miratimi për punën e tij është ngritur pak. Por unë mendoj se ne ende jemi në një territor mjaft të vështirë. Ne ende kemi një nivel të lartë të papunësisë që pritet të na shoqërojë për një kohë edhe më të gjatë”.

Në fjalimin e vitit të kaluar, zoti Obama shënoi fundin e rolit luftarak të forcave amerikane në Irak dhe deklaroi se Osama bin Ladeni nuk ishte më një kërcënim. Këtë vit ai pritet që përsëri të diskutojë Afganistanin dhe afatin kohor për tërheqjen e forcave luftarake amerikane nga atje.

Anthony Kordesman i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, thotë se bota arabe pritet të jetë pjesë e fjalimit të së martës.

"Ai me siguri do të flasë për problemet në botën arabe. Dhe pa një angazhim aktiv të diplomacisë amerikane, pa një kombinim të ndihmës ekonomike dhe ushtarake amerikane, pa një përpjekje të vazhdueshme për të ndërtuar qëndrueshmërinë dhe regjime më demokratike në rajon, situata mund të bëhet një kërcënim shumë më serioz”.

Zoti Obama do të duhet gjithashtu të dërgojë një mesazh se republikanët dhe demokratët në Uashington duhet të bashkëpunojnë më shumë, thotë John Sides.

“.... Pastaj ndoshta ne mund të fillojmë të shohim një riparim të besimit të amerikanëve dhe besimit në qeverinë përveç mendimit të tyre rreth vetë presidentit Obama”.

Zoti Sides thotë se republikanët janë duke dëgjuar më me kujdes zërat brenda partisë së tyre që paralajmërojnë kundër konfrontimit të pafund me presidentin Obama.

XS
SM
MD
LG