Lidhje

Ndahet nga jeta ish-presidenti grek Konstantin Stefanopulos


Ish-presidenti grek Konstantin Stefanopulos, një politikan veteran konservator u nda nga jeta në moshën 90 vjeçare.

Stefanopulos u shtrua të enjten në një spital në Athinë dhe më pas gjendja e tij shëndetësore u keqësua me shpejtësi. Ai vdiq të dielën në darkë nga “komplikime nga pneumonia”.

Mjekët e tij nxorën të shtunën një deklaratë ku thonin se disa organe të pacientit nuk po funksiononin dhe ai nuk po reagonte ndaj mjekimeve.

Ai njihej me emrin Kostis, dhe gjatë karrierës politike ishte për dy mandate president nga 1995-2005.

“Ai ishte njeri me moral dhe vizion të lartë,” tha Kryeministri i majtë Alexis Tsipras. Presidenti koservator Prokopis Pavlopulos, e cilësoi Stefanopulos “një model të shërbimit konsistent, me dinjitet dhe pa egoizëm për të mirën e publikut”.

Megjithëse presidenti në Greqi ka një rol përgjithësisht ceremonial, Stefanopulos ishte shumë popullor për modestinë që dëshmonte në post.

Ai dallonte për marrëdhëniet e mira me politikanë të të githë spektrit, veçanërisht me Kryeministrin e moderuar socialist Kostas Simitis, i cili drejtoi qeverinë nga 1996-2004.

Stefanopulos ishte diplomuar si jurist. Babai i tij ishte jurist, dhe politikan. Stefanopulos lindi në Patras më 15 gusht 1926. Gjatë jetës së tij ai ishte në krye të ministrive të ndryshme nga 1974-1981.

Në 1995 ai u zgjodh president nga parlamenti, duke pasuar Constantin Caramanlis, ish-udhëheqës i Partisë Demokratike. Stefanopulos u rizgjodh në 2000 dhe u largua përfundimisht nga politika pasi përfundoi mandatin e dytë si president në 2005.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG