Lidhje

Stërvitje e forcave policore në Kosovë


Njësitë speciale të policisë së Kosovës po kalojnë nëpër një trajnim të ri. Ministri i Brendshëm i Kosovës, Skënder Hyseni, vizitoi të martën stërvitjet që synojnë përballimin e trazirave të mundshme dhe rritjen e aftësive në kontrollimin e godinave.

Këto stërvitje vijnë në një kohë kur forcat e sigurisë së Kosovës janë në gjendje të lartë gatishmërie, për shkak të mundësisë së sulmeve nga militantë islamistë.

Javës që kaloi u ndërpre furnizimi me ujë për pothuajse gjysmën e popullsisë së Prishtinës. Policia arrestoi pesë persona që dyshohen se po përpiqeshin të helmonin rezervuarin kryesor të furnizimit për kryeqytetin.

Ministri i Brendshëm Hyseni ndoqi stërvitjen, e cila u zhvillua pranë një aeroporti të NATO-s në Kosovë.​

Zoti Hyseni saktësoi se për momentin, nuk ka tregues se do të ndodhë një sulm konkret.

Kosova është vendosur në gjendje të lartë gatishmërie gjatë javëve të fundit, pasi anëtarë nga Kosova të Shtetit Islamik u shfaqën në video propagandistike së bashku me të tjerë nga vende të Ballkanit, duke paralajmëruar për sulme ndaj objektivave si rrjetet e furnizimit me ujë.

Zyrtarët e sigurisë thonë se mbi 200 persona nga Kosova kanë shkuar për të luftuar në Siri dhe Irak. Mbi 30 mendohet se janë vrarë, ndërkohë që ka shqetësim për rrezikun e mundshëm prej atyre që rikthehen në atdhe.

XS
SM
MD
LG