Lidhje

Steve Ballmer do të dalë në pension


Shefi ekzekutiv i Microsoftit ka udhëhequr kompaninë më të madhe të botës për mjetet programuese që nga viti 2000

Një udhëheqës korporatash i mirënjohur amerikan, shefi ekzekutiv i Microsoftit Steve Ballmer, thotë se ai po planifikon të dalë në pension brenda vitit të ardhshëm.


57 vjeçari Ballmer ka udhëhequr kompaninë më të madhe të botës për mjetet programuese që nga viti 2000, kur ai pasoi themeluesin e Microsoftit Bill Gates. Zoti Ballmer tha sot se “asnjëherë nuk ka një kohë të përsosur për këtë lloj ndryshimi, por tani është koha e duhur.”


Ai tha se nevojitet një shef ekzekutiv i ri për Microsoftin ndërkohë që kompania po ndryshon drejtim duke u përqëndruar tek shitja e mjeteve dhe shërbimeve të teknologjisë. Microsofti ka qenë shumë fitimprurëse, por po përballet me konkurrencë të madhe në tregun e tabletave kompjuterike dhe celularëve inteligjentë. Kompania ka patur vështirësi në një kohë kur numrat e shitjeve të kompjuterave personale që funksionojnë me programin e mirënjohur Windows të Microsoftit kanë rënë.


Aksioneve të Microsoftit iu rrit vlera prej më shumë se 7 përqind pas lajmit të daljes në pension të zotit Ballmer.


Microsofti nuk emëroi një pasues, dhe zoti Ballmer e ka në plan të qëndrojë me kompaninë deri sa të gjendet njeri që do ta zëvendësojë.


Zoti Ballmer dhe zoti Gates u takuan për herë të parë në vitin 1973 kur atta jetonin në të njëjtin konvikt në Universitetin e Harvardit. Zoti Ballmer filloi të punonte në Microsoft në vitin 1980, udhëhoqi disa nga departamenet e kompanisë gjatë tre dekadave të fundit dhe u bë një nga këshilluesit kryesorë të zotit Gates para se ta zëvendësonte atë.

XS
SM
MD
LG