Lidhje

Stigma e SIDA-s mes afrikano-amerikanëve

  • Carol Pearson

Afrikano-amerikanët mbajnë barrën më të madhe të krizës së HIV-it në Shtetet e Bashkuara. Ata diagnostikohen më shpesh me HIV/SIDA dhe kanë më shumë gjasa të vdesin nga sëmundja se çdo grup tjetër racor ose etnik në vend. Kjo ndodh për arsye të ndryshme, por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Carol Pearson, stigma është një nga faktorët kryesorë.

Është proces i thjeshtë.

Duhen vetëm 10 sekonda. Mund të shpëtojë një jetë...të parandalojë përhapjen e një infeksioni. Mund të jetë origjina e një epidemie të HIV-it në komunitetin afrikano-amerikan.

Por stigma i pengon.

Afrikano-amerikanët përbëjnë 12 përqind të popullsisë amerikane por përfaqësojnë 44 për qind të rasteve të reja të HIV-it, sipas Qendrave amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Ka shumë arsye. Disa prej tyre janë mungesa e informacionit dhe e qasjes së kujdesit shëndetsor, por stigma shkakton frikë tek njerëzit për të marrë vesh nëse janë HIV pozitivë ose jo.

Timothy Harrison punon për Departamentin e Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore:

“Ne të gjithë besojmë se kjo është një nga arsyet kryesore që frenojnë njerëzit të testohen, dhe nëse testet dalin pozitive, mund t’i ndalojë të lidhen me trajtimet e HIV-it,” thotë ai.

Dita Kombëtare për Testimin e HIV-it përballet me stigmën. Në aktivitetin e këtij viti në Uashington, njerëzit u vunë në rradhë për të mësuar statusin e tyre.

“Dhe kjo është një pjesë e rëndësishme sepse nëse e dini statusin tuaj të HIV-it, keni më shumë gjasa të kujdeseni për veten dhe më pak t’ia transmetoni virusin dikujt tjetër,” thotë z. Harrison.

Konferenca në Universitetin Howard, një universitet historikisht afrikano-amerikan, trajtoi çështjen e stigmës së HIV-it. Dr. Sohail Rana ka parë pacientë që kanë vdekur nga stigma:

“Nëse stigma i shtohet çdolloj sëmundjeje, rezultati bëhet 300 për qind më i keq.”

Organizatat për të drejtat civile dhe kishat afrikano-amerikane udhëhoqën lëvizjen për barazi në vitet 1960. Por atyre iu desh shumë kohë për t’u bashkuar me lëvizjen kundër HIV/SIDËs në komunitetin afrikano-amerikan. Tani kjo po ndryshon.

Shavon Arline-Bradley drejton programet shëndetësore për Shoqatën Kombëtare për Avancimin e Njerëzve me Ngjyrë (NAACP).

“Ajo që ne kemi vendosur të bëjmë ishte të identifikojmë se çfarë mesazhesh tërheqin prindërit, udhëheqësit fetarë dhe mesazhi është se: ka njerëz që po vdesin dhe ju duhet të shqetësoheni për këtë,” thotë ajo.

Agjencitë shëndetësore amerikane po punojnë për të shpërndarë informacionin se HIV-i është i parandalueshëm, se testimi është thelbësor, dhe HIV-i nuk është një dënim me vdekje.

Faqja qeveritare e internetit AIDS.gov thotë: “Nëse nuk ndryshon rrjedha e epidemisë, dikur në jetën e tyre, llogaritet se një në 16 meshkuj afrikano-amerikanë dhe 32 gra do të diagnostikohen me HIV.” Këto shifra janë të paktën tetë herë më të larta se ato për të bardhët.

XS
SM
MD
LG