Lidhje

Sfidat kryesore të NATO-s: ISIL dhe Rusia

  • Jela Franceschi

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg thotë se NATO-ja po përgatitet të shtojë kundërpërgjigjen ndaj Shtetit Islamik si dhe ndaj Rusisë, përgjegjëse për veprime agresive në Ukrainë. Megjithatë në një intervistë me kolegen e shërbimit serb të Zërit të Amerikës, Jela De Franceschi, zoti Stoltenberg tha se NATO-ja nuk po kërkon konfrontim me Rusinë. Ai komentoi gjithashtu për masat që po merr aleanca me sfidat e reja të sigurisë me të cilat përballet bota dhe ndihmën që po jep për krizën e refugjatëve.

Gjatë një vizite në Uashington, shefi i aleancës foli për sfidat kryesore aktuale të NATO-s, atë në jug të aleancës, në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, si edhe ato që shkakton Rusia në Lindje.

“Ne po zbatojmë përforcimin më të madh të mbrojtjes kolektive që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Vendosja e më shumë trupave pjesën lindore të Aleancës, me një përforcim të kapaciteteve dhe gadishmërisë sonë dhe me seli të vogla shtesë në pjesën lindore, që të mund të jenë një hallkë e të gjithë NATO-s dhe që të përforcohen nëse është e nevojshme. Pra ne po marrim shumë hapa për t’iu përgjigjur një mjedisi të ri sigurie”.

Por zoti Stoltenberg theksoi se NATO-ja nuk kërkon konfrontim me Rusinë, as një luftë të ftohtë.

“Dialogu është i nevojshëm sepse na duhet të shmangim një Luftë të re të Ftohtë. Por ne kemi besimin e patundur se nuk ka kontradiktë mes një mbrojtjeje të fuqishme, një qëndrimi të vendosur dhe dialogut”.

Aleanca, tha ai kërkon më tepër një dialog për të shmangur incidente si rrëzimin e avionit rus mbi Turqi.

“Dhe nëse këto lloj incidentesh ndodhin ne duhet të shmangim daljen e situatës jashtë kontrollit për shkak të tyre. Pra, transparenca, mekanizmat për minimizimin e rreziqeve janë të rëndësishme për shmangien e keqësimit të situatave”.

Zoti Stoltenberg po konsultohet me udhëheqësit amerikanë në prag të samitit të NATO-s në Varshavë në muajin korrik, ku kriza e refugjatëve në Lindjen e Mesme dhe Evropë pritet të jetë ndër temat kryesore.

Shefi i NATO-s tha se aleanca ka dislokuar anije në Detin Egje për të ndihmuar me krizën.

“Synimi i tyre nuk është të kthejnë mbrapsht barkat me imigrantë por që të ndihmojnë me vëzhgim dhe informacion që e ndajnë me rojën kufitare turke dhe greke dhe me agjencinë kufitare të Bashkimit Evropian, FRONTEX dhe pastaj këto autoritete lokale të ndryshme i përdorin këto informacione për të menaxhuar më mirë krizën”.

Duke folur për zgjerimin e NATO-s, zoti Stoltenberg tha se aleanca po plotëson procedurat për finalizimin e bisedimeve të anëtarësimit të Mali të Zi, që do të jetë anëtari i 29-ë i saj. Ai thotë se më tej nuk ka ndonjë plan të afërt për anëtarësime, por se NATO-ja do të ketë gjithmonë një qëndrim të hapur dhe do të vazhdojë të punojë me të gjitha vendet partnere që janë shumë të afërta dhe të rëndësishme për aleancën ushtarake.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG